Nga Besmir Lushaj
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën person të padëshiruar Artan Grubin, ish-zv. kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe krah i djathtë i Ali Ahmetit.
Në motivacion, amerikanët ofruan një detaj tronditës për shqiptarët. Sipas tyre, Artan Grubi kishte ndërhyrë personalisht në hallkat e drejtësisë për të lehtësuar pozitën e Sasha Mijallkovit të dënuar me burgim.
Sasha Mijallkov, ish-kreu i shërbimit sekret maqedon, ishte ideatori i skenarit të Kumanovës, i cili futi në grackë grupin e luftëtarëve nga Kosova, të cilët u vranë në rrethim, ndërsa disa prej tyre u ekzekutuan pas arrestimit – referuar dëshmive të pjesëtarëve të grupit që mbahen në burg.
Sasha Mijallkovi po ashtu ishte ideatori i proceseve të montuara ndaj shqiptarëve, si rasti “Monstra”, dhe i vrasjes së dhjetëra ish-luftëtarëve shqiptarë pas mbarimit të luftës.
Me një fjalë, Sasha Mijallkovi ishte Ivica Stanishiqi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Mirëpo, pikërisht ky profil kaq i spikatur i shovinizmit antishqiptar duhej të lehtësohej nga burgu.
Sipas amerikanëve, Artan Grubi nuk ndërhynte te një gjyqtar shqiptar që vrasësi dhe persekutori mizor i shqiptarëve të kalbej në burg, por që të dilte jashtë tij.
Pse Ali Ahmetit i duhej jashtë burgut dhe jo brenda tij Stanishiqi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut?
Pse Artan Grubi vazhdon të jetë në arrati prej shumë kohësh?
Këto pyetje morën përgjigje politike në zgjedhjet e Çairit dhe Tetovës, por ato duhet një ditë të ndriçohen në dritën e vërtetësisë së fakteve dhe vendosjes së drejtësisë për viktimat dhe familjarët e tyre.
Humbja e Bujar Osmanit në Çair ishte po ashtu një mesazh i fortë në rrafshin kombëtar. Si ish-ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Osmani vizitoi disa herë Beogradin, por asnjëherë Prishtinën.
Tashmë koalicioni VLEN ka përgjegjësi të shtuara nga votbesimi që i dhanë shqiptarët.
Rrjedhimisht, duhet treguar qartësi politike kundrejt retorikës shoviniste të kryeministrit Hristian Mickovski dhe duhet kërkuar drejtësi për krimet dhe persekutimin ndaj shqiptarëve.
Në të kundërt, shqiptarët do t’i ndëshkojnë me votë, njësoj siç ndëshkuan Ali Ahmetin dhe Sasha Mijallkovin në qelinë e tij.