Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) zhvillohet sot, në orën 10:00, ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës nga drejtuesi në largim Altin Dumani te kreu i ri i institucionit, Klodian Braho. Ky i fundit u zgjodh në krye të SPAK nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me 7 vota, duke marrë mandatin trevjeçar të drejtuesit të Strukturës së Posaçme, mandat që sipas ligjit nuk lejon rizgjedhje.

SPAK e konsideron këtë proces si një hap të rëndësishëm për garantimin e vijimësisë institucionale dhe forcimin e mëtejshëm të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Altin Dumani, i cili mori drejtimin e SPAK pas Arben Krajës, drejtuesit të parë të këtij institucioni, do të vijojë ushtrimin e funksionit si prokuror i posaçëm. Mandati i tij në SPAK përfundon në vitin 2028, në përmbyllje të mandatit 9-vjeçar të parashikuar nga ligji.

Kush është Klodian Braho?

Klodian Braho ka hyrë në sistemin e drejtësisë më 14 nëntor 2007, pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe Shkollën e Magjistraturës. Karrierën si prokuror e nisi në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, ku punoi deri në vitin 2012. Më pas u transferua në Prokurorinë e Vlorës, ku ushtroi detyrën deri në vitin 2015, përfshirë edhe një periudhë si zëvendësdrejtues i këtij institucioni.

Në vitin 2015 u emërua në Prokurorinë për Krime të Rënda në Tiranë, ku u përfshi në hetimin e çështjeve me ndjeshmëri të veçantë penale. Pas shpërbërjes së kësaj prokurorie dhe krijimit të SPAK, Braho u emërua prokuror në strukturën e re. Gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë e hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë dhe subjekte të dyshuara për krim të organizuar, përfshirë dosjen ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Klodian Braho është pjesë e SPAK që prej krijimit të tij dhe aktualisht drejton Seksionin Kundër Korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka ndërtuar një profil të konsoliduar në hetimin e korrupsionit në nivele të larta dhe çështjeve me interes të lartë publik.

Ndër hetimet më të rëndësishme të drejtuara prej tij përfshihet dosja e inceneratorit të Elbasanit, nga e cila u lëshuan urdhër-arreste për persona të njohur si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, ndërsa hetimi për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj u trajtua në një procedim të veçuar.

Po ashtu, Braho ka çuar përpara dosjen “5D”, duke dërguar për gjykim disa ish-drejtues të Bashkisë së Tiranës, si edhe hetimin e njohur si “Toyota Auris”, ku u zbulua një skemë e gjerë kriminale që përfshinte edhe individë të sistemit të drejtësisë. Kjo dosje vijon të hetohet në disa procedime të ndara.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *