Historia e dhimbshme e regjimit komunist në Shqipëri sjell shembuj ku persekucioni bashkonte brenda mureve të qelive priftërinjtë françeskanë me vetë ideologët e marksizëm-leninzmit,po ashtu viktima të idealizmit të tyre. I tillë ishte dhe rasti i At Zef Pllumit, i mbijetuar në kalvarin e vuajtjeve,të cilin jeta e burgut e vendosi në një situatë sa ireale aq edhe tragjike. Frati françeskan njihet në burg me Zef Malën, kreun e grupit komunist të Shkodrës i konsideruar një nga doktrinarët dhe njohësit më të mirë teorik të komunizmit.

Në veprën e tij ”Rrno për me tregue”, At Zef Pllumi sjell dëshminë autentike të njohjes me Zef Malën dhe si ky i fundit, një komunist i zellshëm i beson pikërisht një prifti françeskan dorëshkrimet e tij të cilat në ato kushte represioni ishin gjëja më e shtrejtë që ai kishte ruajtur. Në vijim pjesë nga rrëfimi i At Zef Pllumit:
“Kur shkuem, ai ishte rrethue prej shokëve të vjetër, aty para kapanonit, dhe po llafoseshin. Vaso Marko ndej gati e na paraqiti:

-Shoku Zef, – i tha – po vijnë dy miq të të shohin. Njëri është Foto Proko, gazetar, që ka studiuar në BRSS, e tjetri Zef Pllumi, që është një prej atyre të cilët na kanë përjashtuar prej shkollave mua dhe ty. 

Tue u tallë ia ktheva:

-Ndigjo mor Vaso; ç’u paskemi ba na tue u përjashtue prej shkollash? Gabimi ynë asht që kemi hjekë dorë prej metodash klasike tash 200 vjet, se ju paskeni meritue me u qitë para inkuzicionit e me ju djegë për së gjalli në turrë të druve!… Zefit iu dha nji gaz e qeshi të madhe e ndërsa po shtërngojshim duert, ma tundëte tue më thanë:

-Fjalë e saktë! Do të kishit shpëtue ju, na vetë dhe shumë popuj!… Nji herë ndërsa ishem tue pritë në radhë me marrë bukën vjen një grue e më thotë: “A je ti Zef Mala a më duket? Meriton me të varë të parin, a sheh ku na çove?” …. Iu përgjigja se do ta meritojshem sikur t’ishem në tribunë, por jo tash që jam në radhë me ty!…

Shpesh herë kam shkue me e pa te krevati, sepse ishte njeri me kulturë. Nji ditë po më vjen Vasoja e më thotë:

-Zefi kërkon të të shohë; më ka thënë se ti i pëlqen shumë se nuk e ke ndrruar aspak gjuhën, por flet me atë humorin e bukur shkodran. 

Shkova me e pa. M’u ankue se nuk ishte mirë me shëndet dhe se e ngacmonte dishka në fyt.

-Nuk dij si merr kjo puna e eme, – tha. – Të kam thirrë si “Zef”, sepse sado mendime të ndryshme që mund të kemi njani me tjetrin të dy puqemi, së paku, te emni “Zef”. Për së shpejti, më ka thënë doktori, do të më nisin për analiza të fytit në Tiranë. Nuk e ndjej vedin mirë e më kanë hi mjaft dyshime. Sa vjeç je? Po, je mjaft ma i ri se unë. Ndigjo, jam tue të ngarkue një detyrë. Tash sa vjet shkruej “Historinë e komunizmit shqiptar”. Kam mbi 800 faqe. Po ta la barrë ty që të shkosh te grueja e eme në Himarë, merri ato dhe përpiqu me i ruejtë e dikur me i botue, n’ardhtë dita. 

-Zef jam i dënuem mjaft randë e nuk e mendoj se dal gjallë prej këndej. Duhet të ngarkosh ndonji djalë të ri e pa dënim të randë. 

– Nuk i dihet jetës, gjithshka mund ndodhin. Në rast se e sheh vedin keq, mund të zgjedhish ndonji djalë të ri besnik, se un nuk i njof. Gjithmonë kur të shkoni te grueja duhet t’i thoni se na e ka lanë Zefi amanet!

-Do të përpiqem me ta plotësue dishirin me çdo kusht!

Në spital ndej rreth dy muej. Kthej i përmirësuem se i kishin ba kurime me rreze. Mbas nja 6 muejsh e derguen përsëri dhe nuk vonoi e muerëm vesh lajmin se kishte vdekë nga një tumor në fyt. 

Mbasi u lirova nga burgu, filluen edhe liritë civile e politike. Barra që më kishte ngarkue Zef Mala nuk më hiqej mendsh. Mbas pak vjetësh ia gjeta rasën e shkova në Himarë, kërkova gruen e tij besnike, që gjithnji mbante foton e tij të zmadhueme si nji altar. I tregova amanetin e Zef Malës. 

-Po, – tha. – më ka pasë lanë shumë shkrime, dhe do të përpiqem me i gjetë. 

Në krye të vjetit ktheva prap n’atë shtëpi të vjetër karakteristike himariote. Qyqarja nuk kishte gjetë tjetër nga dorëshkrimet e Zef Malës, vetëm një adresë të Eduard Spiro Gjokës të cilit ia kishte dorëzue dorëshkrimet kur ishte arrestue Zef Mala. Adresa ishte në Francë. 

-Larg paskan shkue këto shkrime!?

-Kur ia kam dorëzue e kishem afër, kojshi, sepse kemi kalue nji jetë t’internuem bashkë, por tash në demokraci e paska lanë Shqipninë. Nëpërmjet Prof. Odile Daniel, drejtore e Institutit Oriantal të Parisit, u vuna në të përpjekun me Z. Eduard Gjokën, i cili nëpër atë dorë më kthei përgjigjen se kur agjentët e Sigurimit të Shtetit e kishin arrestue atë vetë e dërgue në kamp të Spaçit, familja e tij e frigsueme i kishte djegë të gjitha ato dorëshkrime që mund i shkaktojshin shumë vuejtje në hetuesi. Këtë letër e ruej gjithnji, tue kja damin e madh të historiografisë së re shqiptare.”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *