Nga Sebastian Zonja
Amerikanët po bëjnë në Iran luftën që Evropa mund ta kryente pas rreth 15 vjetësh. Arsyeja është se, sa më shumë të fuqizohej Irani, aq më shumë destabilitet do të kishte në rajon. Është në natyrën e shteteve që, sa më shumë të fuqizohen, aq më shumë fuqi kërkojnë të projektojnë.
Duke qenë se Evropa është një gjigant ekonomik dhe një xhuxh ushtarak, është e pritshme që ajo të vepronte duke dhënë sa më shumë fonde për Turqinë, Izraelin dhe vendet e Gadishullit Arabik, në mënyrë që këta të fundit të zhvillonin luftën. Nuk duhet harruar se Lindja e Mesme është afër, jo në skajin tjetër të globit, si p.sh. Paraguaji.
Në një farë mënyre, duke lënë mënjanë ndryshimet historike, diçka e ngjashme ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kur Gjermania naziste nisi armatimin maksimal, Franca, Britania dhe Bashkimi Sovjetik e dinin se një ditë lufta ishte e pashmangshme. Çfarë bënin? Negocionin se kush duhej të përfshihej drejtpërdrejt në luftë dhe kush do ta mbështeste me armatime dhe financa. Askush nuk donte të prishte rehatinë. Gjermania naziste kërkonte të rinegocionte balancën e pushtetit global.
Franca ishte e para që u pushtua. Më pas erdhi radha e Britanisë. Uinston Çurçilli lëvizte mes Uashingtonit dhe Kremlinit. Bashkimi Sovjetik hyri në luftë dhe humbjet ishin të jashtëzakonshme — rreth 27 milionë të vdekur nga të gjitha republikat. Një tragjedi e përmasave të mëdha. Në fund, mori pjesën e vet të fitores dhe u zgjerua sipas interesave të Stalinit. Evropa kishte rënë si fuqi dominuese. Britania ia la stafetën Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkohë, Bashkimi Sovjetik doli në ujëra të ngrohta, duke arritur deri në Shqipëri — një aspiratë e kahmotshme e Rusisë — ndërsa Gjermania u nda në dy pjesë.
Sot, ndërsa SHBA-të ndërtojnë projeksione të sigurisë dhe fuqisë globale, evropianët duket se mbeten në vendnumëro. Me përfundimin e konfliktit, pritet që Turqia të forcojë rolin e saj si fuqi mesdhetare. Izraeli rrit besueshmërinë si një fuqi e fortë rajonale, ndërsa vendet evropiane, fatkeqësisht, nuk duken të pranishme në vendimmarrjet që prekin një nga rrugët kryesore energjetike në botë.
Një Iran më i dobët do të thotë një Rusi më e dobët përballë Ukrainës dhe një Kinë më e dobët përballë SHBA-ve. Strategjitë janë të shumëllojshme, por ajo që i përcakton ato është logjistika. Prandaj, është e rëndësishme të shihet se si ndërpriten zinxhirët e furnizimit që mbështesin regjimet autoritare.
Shqipëria e ka provuar në të kaluarën bashkëpunimin me Bashkimin Sovjetik dhe e ka parë se ku çon ai rrugëtim: në burgje, internime dhe dëbime masive. Sot, synimi është të ecet krah për krah me aleatët amerikanë dhe evropianë drejt një demokracie më të shëndetshme.
