Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin demonstratën e sotme të organizuar nga opozita në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e ndjekjes së udhëzimeve të institucioneve për sigurinë.

Sipas njoftimit, protestuesit pritet të mblidhen para Kryeministrisë në orën 17:00. Policia e Shtetit ka paralajmëruar për prani të shtuar të forcave të rendit, si dhe për bllokime të mundshme në disa kryqëzime dhe rrugë të qendrës së qytetit.

Në deklaratën e plotë, Ambasada bën të ditur se tubimi do të zhvillohet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes Sheshit “Nënë Tereza” dhe Sheshit “Skënderbej”, ndërsa pritet të ketë ndërprerje trafiku dhe mbyllje rrugësh. Po ashtu, autoritetet shqiptare kanë njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë zona të ndryshme të qendrës.

Personelit të Ambasadës Amerikane i është këshilluar të shmangë demonstratën, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të monitorojnë mediat lokale dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve ligjzbatuese për informacionet më të fundit.

Ambasada thekson se protestat, edhe kur nisin në mënyrë paqësore, mund të ndryshojnë shpejt dhe të shtrihen në zona përreth institucioneve qeveritare, duke shkaktuar devijime dhe bllokime të trafikut. Për këtë arsye, qytetarëve u kërkohet të qëndrojnë vigjilentë, të shmangin zonat e protestave, të kufizojnë shpërqendrimet në publik, të monitorojnë mediat dhe të kenë gjithmonë një plan emergjence, duke mbajtur një profil të ulët për sigurinë personale.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *