Në një reagim për situatën e krijuar në Kosovë lidhur me çështjen e targave, ambasada e SHBA-ve në Prishtinë përkrah në parim vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin e një marrëveshje të arritur para disa vitesh në Bruksel, por të pazbatuar asnjëherë në terren. Një zëdhënës i ambasadës amerikane në Prishtinë i tha radios Evropa e Lire se Kosova ka të drejtë legjitime të marrë dhe zbatojë vendime dhe se vendimi për targat i përket një marrëveshje e cila është formalizuar në Bruksel. “Ambasada ka thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, besojnë se vendimi i qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, dhe në se në parim nuk kanë mospajtime për të.”- tha zyrtari i ambasadës amerikane.
Ambasada e SHBA-ve, përmes zëdhënësit të saj kërkoi po ashtu kujdes në zbatimin e këtij vendimi në mënyrë që të shmnangen tensionet në zonat e banuara me shumicë serbe.
Ishte vetë kryeministri Albin Kurti i cili bëri të ditur se nuk do të ketë shtyrje tjetër të afatit për targat duke mos marrë në konsideratë kërkesën e emisarit të SHBA-ve për Ballkanin, Gabriel Eskobar, i cili kërkoi shtyrjen e afatit me dhjetë muaj. Kurti shprehu vendosmërinë për zbatimin e ligjit dhe ruajtjes së stabilitetit në vend gjatë këtij procesi. Serbët e Kosovës kanë afat deri në datën 31 tetor të konvertojnë targat e tyre të vjetra nga epoka e ish-Jugosllavisë në targa RKS–Rapublika e Kosovës. Automjetet që nuk do e kryejnë këtë procedurë pritet të sekuestrohen nga shteti i Kosovës.