Nga Sebastian Zonja
Sekretari i Shtetit amerikan Marko Rubio u shfaq me kryq në ballë gjatë një interviste për “Fox News”, të mërkurën. Kur e pashë thashë se ishte shaka. Por ishte e vërtetë. Më duket sikur Amerika është kthyer në Evropën e viteve 1600. Ndarja e fesë nga shteti në Evropë është një nga zhvillimet më të rëndësishme politike dhe filozofike në historinë moderne.
Ky transformim, i cili u zhvillua pëgjatë shekujve, u nxit nga luftërat e përgjakshme fetare për pushtet, Iluminizmi dhe ideja e laicizmit. Filozofi gjerman Karl Shmit ofron një qasje interesante mbi këtë ndryshim përmes konceptit të tij të “teologjisë politike”. Shmiti argumenton se strukturat politike moderne laike janë thellësisht të bazuara në koncepte teologjike.
Historikisht, shtetet europiane kanë qenë të lidhura ngushtë me fenë. Siç janë sot vendet e gadishullit arabik. Për shembull, Kisha Katolike luante rol dominues në qeverisje, duke ndikuar tek formulimi dhe hartimi i ligjeve, legjitimiteti politik dhe, madje, edhe tek luftërat. Reformimi Protestant i shekullit të 16-të e ndërlikoi më tej këtë marrëdhënie, duke çuar në konflikte të përgjakshme si Lufta Tridhjetëvjeçare (1618–1648). Këto luftëra fetare zbuluan rreziqet e ortodoksisë fetare të imponuar nga shteti, duke i shtyrë mendimtarët politikë të çojnë përpara idenë e ndarjes mes autoritetit fetar dhe atij politik. Paqja e Vestfalisë e vitit 1648 shënoi një pikë kthese, duke sanskionuar parimin e sovranitetit shtetëror dhe reduktoi rolin e institucioneve fetare në politikën ndërkombëtare.

Karl Schmiti na thotë se qeverisja laike moderne nuk u shfaq si kundërvënie ndaj teologjisë por, përkundrazi, evoluoi prej saj. Ai shkruan: “Të gjitha konceptet e rëndësishme të teorisë moderne të shtetit janë koncepte të sekularizuara teologjike.” Kjo do të thotë se strukturat e autoritetit, sovranitetit dhe vendimmarrjes ligjore në shtetet laike bartin peshën e doktrinave teologjike. Për shembull, Shmiti krahasonte rolin e një sundimtari sovran me atë të Zotit në aspektin fetar—të dy kanë fuqinë për të marrë vendime përfundimtare në momente krize. Edhe në sistemet laike, autoriteti politik shpesh pasqyron hierarkitë fetare, duke treguar se ndarja e kishës nga shteti nuk e ka fshirë ndikimin e fesë, por e ka transformuar atë në forma të tjera politike.
Liberalizmi solli ndarjen e shtetit nga feja. Rëndësia e ndarjes së fesë nga shteti nuk mund të nënvlerësohet kollaj. Kjo ndarje siguron që qeverisja të mbetet neutrale, duke lejuar njerëzit e besimeve të ndryshme—ose pa besim fare—të bashkëjetojnë pa frikën se do të persekutohen. Ndarja e fesë nga shteti në Evropë erdhi si përgjigje e domosdoshme ndaj konflikteve historike dhe nevojës për qeverisje pluraliste.
Perspektiva e Karl Shmitit mbi teologjinë politike na kujton se, edhe nëpër shtetet laike, idetë fetare vazhdojnë të ndikojnë fort tek strukturat politike. Megjithatë, ruajtja e kësaj ndarjeje mbetet thelbësore për demokracinë, stabilitetin dhe harmoninë shoqërore.
Amerika konservatore sot po shkon ne një udhë antiiluministe. Është interesante të shohim nëse adhuruesit e Donald Trampit do e kurorëzojnë edhe Papë, veç president dhe shef shtabi? 🤔