Sondazhet nuk japin një fitues, si rrallëherë në historinë e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kamala Haris dhe Donald Tramp shkojnë sot në aktin final prej nga do të përcaktohet hierarkia e SHBA-ve për vitet e ardhshme, por vota e sotshme pritet të ketë ndikim të madh dhe në shumë ngjarje dhe procese të ndërlikuara në rang global.
Shtetet evropiane në shumicë presin fitoren e Kamala Haris pasi rikthimi i Donald Tramp në Shtëpinë e Bardhë parasheh raporte të vështira me aleatët e kontinentit të vjetër.
Tramp është zotuar se do të shtrëngojë politikat e vendit të tij në NATO duke i detyruar shtetet evropiane të përmbushin detyrimet e tyre në aleancën më të madhe ushtarake në botë.
Sipas një sondazhi të Gallup, Kamala Haris pëlqehet në Kroaci, Kosovë dhe Greqi, ndërsa Serbia, Hungaria dhe Sllovenia anojnë nga Donald Tramp.
Ky i fundit në mbyllje të fushatës foli për skenare manipulimi duke paralajmëruar mosnjohjen e mundshme të rezultatit në rast humbje.