Kolonel Dritan Demiraj, gjatë një interviste për Top News ofroi një analizë të detajuar të zhvillimeve në Ukrainë. Demiraj theksoi se gjendja në terren gjatë dy muajve të fundit ka ndryshuar në favor të Rusisë. Sipas tij, qyteti i Bahmudit ku po zhvillohen luftime të ashpra mes dy paleve përbën një pikë strategjike dhe rusët kërkojnë marrjen e tij me çdo çmim.

“Marrja e Bahmudit u mundëson rusëve të fitojnë lartësi çka do u shërbente shumë planeve të tyre për ofensivën e pranverës me qëllim aneksiminin e rajonit të Donbasit. Ukrainasit kanë rezistuar heroikisht, por situata e tyre në terren nuk është aspak e lehtë. Rusët po përdorin raketat termobarike të cilat kanë dëmtuar rëndë fortifikimet ukrainase. Aktualisht Rusia lëshon afro 60 mijë predha në ditë mbi pozicionet mbrojtëse të Bahmudit, çka e bën rezistencën mjaft të vështirë. Ukraina ka shpallur 12 mobilizime që nga nisja e luftës dhe tashmë municionet e saj janë pakësuar ndjeshëm. Tanket amerikane, gjermane dhe ato britanike kërkojnë disa muaj trajnime për t’u nisur drejt fronteve të luftës dhe ky është një avantazh i madh për Putinin në këtë fazë të luftës.” – tha Demiraj.

Sipas kolonel Demirajt, një nga synimet e Putinit është marrja e Odesës, gjë e cila është e pamundur pasi amerikanët dhe britanikët kanë ndërtuar një mbrojtje të fortë raketore në këtë qytet-port të Ukrainës. Demiraj shton se e vetmja mënyrë për të ndalur ofensivën ruse është furnizmi i Ukrainës me zjarr të shtuar artilerie.

“Synimi i Putinit për të  marrë Odesën nuk mund të realizohet pasi amerikanët dhe britanikët kanë instaluar një system mbrojtëss raketor shumë të vështirë për t’u thyer. Gjithësesi, në këto kushte, rezistenca ukrainase në zonat e tjera do të vijë duke u vështirësuar pasi dëmtimet dhe humbjet janë të mëdha. Ofensiva ruse ndalohet vetëm me kapacitete të shtuara në forcën goditëse me artileri. Tanket e perëndimit duan kohë të vijnë dhe Ukraina nuk ka as aviacion. Rusia ka të gatshëm 500 mijë ushtarë në Bjellorusi të cilët pritet të përfshihen në luftime në pranverë. Tashmë Putini ka ndryshuar strategji. Ai e di se pushtimi i plotë i Ukrainës ka dështuar dhe synimi parësor mbetet aneksimi i rajoneve me shumicë ruse.”- nënvizoi Demiraj.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *