Pse Yevgeny Prigozhin e ndaloi rebelimin e tij kundër Moskës? “Paratë? Ndoshta, edhe pse unë mendoj se ai ka mjaft nga to. Me siguri në ambientet e tij gjatë kontrolleve të djeshme u gjetën shumë” – shkruan korrespondentja e BBC në Varshavë, Sarah Rainsford. Ajo nënvizon se kreu i Wagner ka marrë garanci për sigurinë e tij dhe rolin e tij në vazhdim.
Udhëheqësi i Wagner ka qenë një figurë e rëndësishme për Presidentin Putin, duke vepruar në hije për një kohë të gjatë. Prigozhin ka bërë punë të pista për Kremlinin, nga luftimet në Siri e deri te luftimet në Ukrainë në 2014, kur aneksoi Krimenë. Ai është përfshirë gjithashtu në përhapjen e dezinformatave.
Rainsford thotë se do të jetë interesante të dihet saktësisht se çfarë marrëveshje është bërë me të për ta lejuar atë të shkojë në Bjellorusi dhe çfarë do të bëjë në vijim. Ajo shkruan në analizën e saj se nuk pritet që ai të tërhiqet në heshtje ndaj nuk është e qartë se çfarë saktësisht do të bëjë ai më pas.
“Ai nuk është një njeri që do të zhduket në heshtje brenda natës” – shkruan Rainsford.
Pse u rebelua shefi i Wagnerit?
Shefi i Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, ka të ngjarë të ketë luajtur blofin për të marrë me vete dezertime masive nga ushtria ruse, por mesa duket mbivlerësoi perspektivat e tij, thotë Instituti për Studimin e Luftës.
Analistët besojnë se rebelimi i dështuar i Prigozhin ishte një përpjekje për të ruajtur pavarësinë e forcës së tij mercenare, veçanërisht duke pasur parasysh afatin e 1 korrikut të vënë nga komandantët ushtarakë rusë që ai të kalonte Wagnerin nën strukturën e tyre komanduese. Armëpushimi i ndërmjetësuar nga udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko e heq Prigozhinin nga kontrolli i Grupit Wagner në formën e tij aktuale në këmbim të heqjes së akuzave penale kundër tij.
“Megjithatë, është e paqartë nëse forcat Wagner do të bashkëpunojnë me dëshirë në integrimin e tyre nën Ministrinë e Mbrojtjes Ruse, ose nëse ushtria ruse do të shërbejë me dëshirë së bashku me personelin e Grupit Wagner në të ardhmen,” – shkruan ISL.
A do ta kapërdijë kollaj Putin?
Putinit nuk i pëlqen tradhtia. Ai e urren atë. Ai absolutisht e urren atë. Pra, të thuash se Kremlini hoqi akuzat penale kundër të gjitha trupave të Wagner-it të përfshira në kryengritje është sinqerisht mjaft e vështirë të besohet. U tha se ata që nuk ishin të përfshirë në grushtin e shtetit mund të ktheheshin në pozicionet e tyre dhe të angazhoheshin sërish në luftë.
Por ka një ndryshim kyç.
Grupi Wagner ishte duke u bërë pjesë e ministrisë së Mbrojtjes. Ditët e tij si një grup mercenar që vepronte dhe financohej në mënyrë të pavarur po përfundonin. Udhëheqësi i saj Yevgeny Prigozhin kishte një përplasje të gjatë me ministrinë dhe po rezistonte që trupat e tij të mos bëheshin pjesë zyrtare e ushtrisë.
“Unë mendoj se kjo është ajo që e shtyu Prigozhin në një veprim të tillë radikal. Nëse ata luftëtarë të Wagner do të nënshkruajnë apo jo kontrata dhe do t’i bashkohen ministrisë ruse të Mbrojtjes, është një pyetje ende për t’u përgjigjur. Kjo ende nuk ka përfunduar për Putinin. Është një krizë që është shmangur, por nuk mendoj se ai ende e ka kapërcyer plotësisht.” – shkruan Sarah Rainsford.
BBC raporton se edhe pse u duk se rebelimi i Prigozhin e kapi Kremlinin në befasi, agjencitë amerikane të spiunazhit kishin marrë tashmë shenja se ai po planifikonte të vepronte. Ato kishin informuar Presidentin Biden së bashku me udhëheqësit kryesorë të kongresit në fillim të kësaj jave, raportojnë mediat amerikane.
Inteligjenca amerikane zbuloi se udhëheqësi i grupit mercenar po grumbullonte armë, municione dhe pajisje të tjera pranë kufirit me Rusinë, raportoi CNN.
New York Times raporton se Presidenti Biden foli me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë për shkak të shqetësimeve se kontrolli i Putinit mbi arsenalin e madh të armëve bërthamore të Rusisë mund të futej në kaos nëse ato binin në dorë të Wagner.
Shefat e spiunazhit të SHBA-së kishin gjurmuar marrëdhëniet e përkeqësuara midis Prigozhin dhe zyrtarëve rusë të mbrojtjes për muaj të tërë dhe inteligjenca kishte arritur në përfundimin se ishte një shenjë se lufta në Ukrainë po shkonte keq si për Wagnerin ashtu edhe për ushtrinë e rregullt.
Burimi: VOA News – Voice of America