Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Ora 19” në SYRI TV, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur te hetimet e SPAK dhe ndikimi i tyre në qeverisjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, kreu i qeverisë po kalon një moment pasigurie, pasi nuk është i qartë se kush qëndron realisht pas presioneve që po i bëhen kabinetit të tij.
Bushati theksoi se kjo periudhë përbën një moment vendimtar për fatin politik të Ramës, i cili, sipas tij, “nuk e di kush po lëviz fijet pas skene” dhe ndodhet mes nevojës për t’u qartësuar ose për të negociuar rreth së ardhmes së pushtetit të tij.
Një nga dilemat kryesore që ngre analisti lidhet me rolin e SPAK-ut: nëse veprimet e këtij institucioni synojnë realisht luftën kundër korrupsionit apo nëse po përdoren si instrument për rikonfigurimin e pushtetit politik në Shqipëri. Bushati paralajmëroi se, nëse SPAK vepron nën ndikimin e faktorëve të jashtëm, ekziston rreziku që vendi të kalojë nga një formë kontrolli në një tjetër, pa u çliruar nga kapja e shtetit.
Ai u ndal edhe te raportet ndërkombëtare të kryeministrit, duke vënë në dukje se mbështetja e Bashkimit Europian dhe e vendeve kryesore europiane ndaj Ramës, sipas tij, nuk ka ndryshuar ndjeshëm. Ndërkohë, Bushati foli për një ftohje të marrëdhënieve me administratën e re amerikane, duke ngritur pyetjen nëse pas “trimërimit” të SPAK qëndron Uashingtoni zyrtar dhe nëse kjo do të ishte në të mirë të shqiptarëve apo thjesht një tentativë e re për të ushtruar ndikim mbi administratën shqiptare.
“Nëse kjo bëhet për të goditur korrupsionin e një qeverie të bërë bajat apo për të kaluar nga një e keqe në një tjetër, është ende shpejt për t’u thënë”, u shpreh Bushati, duke e cilësuar këtë si një “pyetje 1 milion dollarëshe”.
Analisti preku edhe çështjen e demokracisë dhe votës së lirë në Shqipëri, duke deklaruar se shqiptarët nuk votojnë në mënyrë të lirë dhe se, në kushte të tilla, edhe protesta bëhet gjithnjë e më e vështirë. Sipas tij, bashkë me zhbërjen graduale të demokracisë, zhbëhet edhe aftësia e shoqërisë për të reaguar.
Në këtë kontekst, Bushati e cilësoi SPAK-un dhe drejtësinë e re si një “iluzion” që u krijon qytetarëve idenë se nuk ka nevojë për protesta, pasi institucionet do të veprojnë në vend të tyre. “Deri tani, SPAK-u ka shërbyer më shumë si një alibi, duke ndjekur gjithmonë dijen e pushtetit. Nuk e di nëse do vazhdojë në të njëjtën trajektore”, përfundoi ai.

