Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar ashpër ndaj një ekspozite të hapur në Prishtinë, duke kërkuar hetim institucional për përmbajtjen e saj.
Sipas tij, materialet e paraqitura për luftën e viteve 1998–1999 përmbajnë pasaktësi serioze që rrezikojnë të relativizojnë krimet e kryera në Kosovë dhe të deformojnë të vërtetën historike. Ai theksoi se disa prej këtyre paraqitjeve krijojnë narrativa të rreme që cenojnë kujtesën kolektive.
Hoti u ndal veçanërisht te Masakra e Krushës së Madhe, duke kundërshtuar versionin e dhënë në ekspozitë se gratë dhe fëmijët janë lejuar të largohen. Sipas tij, edhe ata kanë qenë viktima, ndërsa shumë prej tyre janë dëbuar me forcë drejt Shqipërisë.
Po ashtu, ai ngriti shqetësime për mënyrën se si është trajtuar Masakra e Burgut të Dubravës, duke theksuar se është e pavërtetë që viktimat kanë qenë të armatosura, pasi bëhej fjalë për civilë të pambrojtur.
Ministri kërkoi tërheqjen e menjëhershme të materialeve me pasaktësi dhe verifikimin e plotë nga institucionet përgjegjëse. Ai i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të shqyrtojë rastin, duke nënvizuar se e vërteta për krimet e luftës nuk mund të tjetërsohet dhe mbetet një detyrim ndaj viktimave dhe historisë.

