Nga Klodi Stralla

Rezistenca antifashiste nuk ishte një dukuri vetëm shqiptare, por e shumë vendeve europiane që u pushtuan ushtarakisht nga forcat e Boshtit. Ajo nuk ishte gjithashtu as monopol i komunistëve. Por rasti shqiptar ka veçorinë se, nën maskën e Luftës Antifashiste për Çlirim Kombëtar, Partia Komuniste Shqiptare, që drejtonte në prapaskenë Frontin Antifashist Nac-Çl., synonte marrjen me dhunë të pushtetit politik, eliminimin fizik të kundërshtarëve dhe futjen e vendit në një eksperiment social stalinist të shtetëzimit dhe kolektivizimit masiv, që solli shndërrimin e Shqipërisë në një satelit — fillimisht të Beogradit, mandej të Moskës dhe më vonë të Pekinit — duke e mbyllur ciklin si një vend i izoluar nga e gjithë bota.

Por kishte edhe antifashistë të një lloji tjetër, të cilët e shihnin të ardhmen e Shqipërisë së pasluftës në gjirin e familjes europiane, me pluralizëm politik, me reforma të thella të karakterit social — agrar, arsimor — me liri dhe të drejta njerëzore, me shtet social dhe me orientim perëndimor. Ata ishin të majtë në botëkuptim, por shqiptarë atdhedashës.

Si korçar, në këtë ditë përkujtese dhe meditimi për historinë tonë, dua të përkujtoj antifashistin më të spikatur të këtij lloji — Llazar (Zai) Fundon.

Nuk do të merrem me biografinë e tij, sepse atë e kanë bërë të tjerë para meje, por dua të shkëput një fragment nga libri autobiografik i njërit prej përfaqësuesve më të njohur të së majtës italiane, Altiero Spinellit: “Si provova të bëhesha i urtë”, ku ai, së bashku me Ernesto Rossin, Zai Fundon, Stavro Skendin etj., hartuan “Manifestin e Ventotenes” — Për një Evropë të lirë dhe të bashkuar — që përmban bazën e idealeve për unifikimin e Europës.

“…E ndiej për detyrë të flas këtu për Fundon, sepse kemi qenë miq për disa vjet. Ishte më autoritari nga gjithë shqiptarët, sepse kishte një përvojë politike të gjatë dhe komplekse, që iu mungonte jo vetëm pastorëve myslimanë, por edhe intelektualëve, të cilët ishin futur në politikë vetëm së fundi, të shtyrë nga neveria për pushtuesin fashist.

Fundo ishte bërë komunist në Paris gjatë studimeve universitare. Duke qenë se besimit të tij i shtohej inteligjenca dhe njohja e jo pak gjuhëve, angazhimi i tij politik kishte arritur përtej Shqipërisë dhe, kur Dimitrov ishte arrestuar pas zjarrit në Rajhshtag, Fundo ishte në Berlin si një nga bashkëpunëtorët e tij. I kishte shpëtuar arrestimit dhe kishte rihyrë në Moskë, ku punonte në Internacionale. Kur nisi era e spastrimeve të mëdha, ai, komunist besnik, por i edukuar në një atmosferë kulturore liberale në vendet demokratike, kishte krijuar lidhje me jo pak kundërshtarë të Stalinit…

Në Ventotene ishte afruar në mënyrë të natyrshme me ish-komunistët dhe socialistët, me të cilët fliste shpesh për mallkimin e regjimit të Stalinit. Ndërkaq shëtiste i qetë, i bukur e i drejtë, me flokë bjond që ia merrte era, duke mërmëritur me zë të ulët fjalët e Platonit që ishte duke lexuar në greqisht, duke kërkuar tek tekstet antike qetësinë e shpirtit që ia kishte marrë dështimi i përvojës së tij komuniste dhe që nuk e gjente gjëkundi…

Pas 8 shtatorit 1943, kur u lirua dhe grupi i fundit i të internuarve të Ventotenes, Llazar Fundo zbriti në bregun puljez, kaloi në Shqipëri, u njoh me partizanët komunistë duke u thënë kush ishte dhe se po vinte të luftonte me ta. U vu pas murit dhe u pushkatua. Ishte a s’ishte dyzet vjeç. Dua të shpresoj se, përveç meje, të ketë shqiptarë të tjerë që ta kujtojnë…”.

Nëse në Shqipërinë e pas 29 nëntorit 1944 do të vinin në pushtet antifashistë të tipit Fundo, të cilët u eliminuan fizikisht nga stalinistët e tipit Hoxha, fati i këtij vendi do të ishte shumë më ndryshe nga ai që është sot.

Pranimi, qysh atëherë, i pluralizmit politik, i lirisë së mendimit, të shprehjes dhe manifestimit, i shoqëruar me reforma sociale aq të domosdoshme për Shqipërinë e pasluftës, si alternativë ndaj monopolit komunist të pushtetit, kolektivizimit masiv absurd, luftës vëllavrasëse të klasave dhe izolimit makabër të vendit, do t’i jepte sot tjetër dimension vlerave të Luftës Antifashiste të popullit shqiptar, duke i parë të dy datat aq të afërta — 28 dhe 29 nëntorin — jo si ditë ku shqiptarët ndahen, por si ditë përbashkimi të gjithë kombit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *