Nga Shaban Murati

Një nga tezat kryesore antishqiptare të historiografisë serbe është që shqiptarët nuk janë autoktonë as në Kosovë dhe as në Shqipëri dhe se shqiptarët janë grupe nomade barijsh mali dhe pylli, që nuk dinë të krijojnë as qytete dhe as qytetërim.

Është interesant se këtë tezë antishqiptare nuk e ka paraqitur kurrë historiografia e pushtuesve të shumtë europianë, që kanë lundruar nëpër Shqipëri, por e kanë propaganduar rregullisht vetëm historiografia dhe politika e pushtuesve fqinjë.

Nuk dihet se si hyri dhe kush e futi tinzisht në mentalitetin e disa propagandistëve folklorikë partiakë dhe të historianëve amatorë të pashkollë në Shqipëri tezën antishqiptare se popullsia e disa qyteteve kryesore të Shqipërisë nuk është autoktone. Kjo shpifje antishqiptare daton në gjysmën e dytë të shekullit 20-të, kurse në gjysmën e parë të shekullit të kaluar ajo nuk ka pasur qarkullim brendashqiptar. Pra është injektuar nga shtetet fqinjë në qarkullim brendashqiptar në kohën që në Shqipëri ndodhi fenomeni kontrovers, që unë e kam përkufizuar “emërime politike të popullsive”. Kjo tezë antishqiptare e huaj ngjiti shumë te bashkësitë tribale dhe te mentaliteti tribal shqiptar. Se si kanë ekzistuar qytetet shqiptare 3 mijë dhe 2 mijë vjeçare të vjetër pa pasur popullsi autoktone shqiptare, këtë vetëm mendjehanët mosmirënjohës antishqiptare të tribalizmit mund ta thonë. T’i heqësh autoktoninë demografike qyteteve kryesore të Shqipërisë don të thotë t’i heqësh autoktoninë qytetërimit shqiptar dhe kombit shqiptar. Don të thotë të degjenerosh te mendja e sëmurë e kryeministres serbe, që deklaronte në 5 qershor 2019 se “shqiptarët janë njerëz të dalë nga pylli”.

Po rishfaqen rregullisht edhe tani këto qendrime antishqiptare dhe antiqytetare nga kolonët dhe nga bijtë e kolonëve, që zbritën turmërisht në qytetet kryesore të Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Kolonët, në të gjitha shtetet dhe në të gjtha regjimet, kanë frustracionin e pushtuesit të patokë dhe kanë ambicjen e njohur rurale të zerojnë historinë dhe popullsinë e qyteteve kryesore, ku zbarkuan me emërim, me qëllim që të përligjin sundimin e tyre.

Nuk thonë kot historianët e mençur të botës: pushtimi i brendshëm është më i keq se pushtimi i jashtëm.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *