Antonio Vivaldi, magjistari i ndjenjave delikate, ngadhnjimtari i shpirtit estetik, vigan i barokut në muzikën klasike. Ai cilësohet si një nga personazhet sa të rëndësishëm, aq edhe dominues në historinë e muzikës botërore. Emri dhe vepra e tij janë pjesë e panteonit të vlerave krijuese, atyre që do të mbeten testament për gjeneratat dhe adhurim për shpirtrat e derdhur në dritën e hyjshme të përjetësisë së vlerave që e shndërruan virtuozitetin në tempull dhe muzikën në besim.
Antonio Vivaldi, është padyshim një personalitet i spikatur i muzikës italiane, një tokësor që predikoi fjalën e shenjtë dhe kungoi vullnesën hyjnore nëpërmjet muzikës në shpirtje e ndjenja, atëmot e në amshim. Nëpërmjet muzikës së tij, Vivaldi ka prekur puhizshëm shpërthimin magjepsës të pranverave, gufimin e një sythi e syprinën dehëse të një lumi, valën lojcake të bregdetit e vetminë e hapave të një hutimi, prarimin e një pafajësie e adhën e perëndimeve që kridhen në kurmin dalldisës të dëshirave shpuese. Kremtimi i tij muzikor lidhet ngushtaz me shpirtin e një dëshiruesi të thekur të së bukurës, të të perëndishmes, të vetë jetës. Ndjeshmëria, delikatesa, larmia e trajtesave dhe koloriteve, shëmbëllejnë jo vetëm atë që kumtimi i tij estetik u qas të regëtinte, por shënoi njiherësh dhe barokun në aktin e krijimit muzikor. Varfëria dhe fama jetuan me të, atëherë kur ngjizej në kujtesën e historisë së muzikës, kur drojshëm hidhte hapin drejt përjetësisë. Ndërsa synonte Vjenën skamja e shtyu atë të shiste disa nga kryeveprat e tij, të cilat ne sot i njohim me tjetër emër autorsie. Gjithqysh, kësisoj u mbrujt ky emër i muzikës, kjo vepër e mbamendjes së barokut.
Antonio Lucio Vivaldi u lind më 4 mars 1678, në Venecia, Itali, në qytetin e magjishëm, në kryeqendrën e gëlimeve të stuhishme të personazheve dhe korifejve të artit dhe jo vetëm. Mësoi violinën nga babai i tij Giovanni Battista që punonte asokohe si berber. Pas një kapërthimi të mundimshëm nëpër muret e larta të sendërtimit të tij si muzikant, at e bir bënë një turne rreth Venecias. Mbamendet se në atëkohje, Vivaldi kishte një problem shëndetësor, të cilin e vetëquante “ngushtim të kraharorit”. Bëhej fjalë për astmë. Me gjithë zoritjet dhe keqkandjet që e sëmbonte atë një frymëmarrje hekakeqe, kurrqysh ai nuk u step së mësuari dhe kompozuari të muzikës, së kumturi të hyjnores në këtë kremtim . Ishte 14 vjeç kur ai nisi të studionte në një shkollë biblike. Në vitin 1703, përfundoi studimet dhe u emërua prift, me emrin fetar “Prifti i Kuq,” për shkak të ngjyrës së flokëve, nofkë e cila i shkoi nga pas për gjithë jetën. Në motmotin e vitit 1704, shëndeti i lig do t’i privonin Vivaldit të drejtojë meshën e Ujit të Shenjtë. Ky ishte dhe fundi i tij si predikues. Ai hoqi mantelin e priftit duke veshur atë të mjeshtrit. Sëmundja mbase do të ishte oguri i tij i mirë. Ikja prej kumtit të shërbestarit e behu atë në kungimin e një virtuozi. Dy vjet më vonë, u bë profesor violine në një jetimore vajzash, “Pio Spitali i Mëshirës”, në Venecia. Në jetimore ai kishte shumë përgjegjësi për detyra të ndryshme. Shume shpejt, pasi ishte bërë mësues, jetimët patën sukses. Puna e mjeshtrit do të përkundte talentet e tyre duke ngjizur kështu famën. Vivaldi ka shkruar për ta shumicën e simfonive, kantatave dhe muzikave kishtare. Në 1705 u publikua përmbledhja e parë me punët e tij, e titulluar “Raccolta”. Në 1707 u njoh me Ana Xhiraudin (Anna Giraud), të cilën e konsideronte si muza frymëzimi. Në vitin 1713, Vivaldi u bë përgjegjës për aktivitetet muzikore të institutit. Vivaldi u emërua “maestro de’ concerti’ në vitin 1716. Gjatë këtyre viteve, ai shkroi pjesën më të madhe të veprave muzikore, ku përfshihen disa opereta dhe koncerte, vepra muzikore për violinë.
Gjatë viteve 1723 – 1729, Vivaldi kishte kompozuar 140 koncerte. Një fakt i rëndësishëm është rizbulimi i pjesës më të madhe të repertorit të tij, në fillim të shekullit XX, në Torino dhe Gjenovë. Muzika e Vivaldit është inovatore, pasi ka thyer traditën në mënyrën e të kompozuarit. Ai përmirsoi strukturën e koncerteve, ku kërkonte kontraste harmonike, duke krijuar melodi dhe skema të reja interpretimi. Vivaldi ishte në gjendje të kompozonte dhe muzikë jo-akademike, e cila pëlqehej nga pjesa më e madhe e publikut. Ky popullaritet e bëri të njohur edhe në shtete si Franca gjatë asaj periudhe e njohur si liberale ne shijet muzikore. Vivaldi njihet si një prej artistëve që solli muzikën Baroke. Bahu u ndikua jashtë thelbësisht prej muzikës së këtij mjeshtri të madh. Mbamendet se Bahu transkriptoi një sërë koncertesh për piano dhe një sërë pjesësh muzikore për orkestër ku përfshihet “Koncerti i Famshëm për Katër Violina dhe Violinçelë”. Megjithatë, jo të gjithë muzikantët shfaqën të njëjtin mendim kundrejt Vivaldit. megjithatë asgjë e ndryshtë nuk mëton kjo kundërshti në vetvete. Konservatorët e akuzonin për shkallmues të rregullave, liberalët e vështronin vengër, të friguar prej shkëlqimit të këtij ylli. Kësisoj u gatu ky talent, në këtë terren u desh të ecte kjo magji estetike, ballas këty ndikesave u vu vepra e tij titanike.
Edhe pse kishte statusin fetar, Vivaldi u kredh në aventura dashurishë, njëra prej të cilave, ndoshta jo më e stuhishmja, por më sqimatarja mbamendet të ketë qenë me këngëtaren operistike veneciane, Anna Giraud, më të cilën ai do të punonte materiale prej operës së vjetër veneciane, duke ia përshtatur vokalit të këngëtares. Sidoqoftë, nuk gjenden fakte konkrete që mund të vërtetojë ndonjë lidhje romantike të Vivaldit. Jeta e tij, si dhe e shumë kompozitorëve të tjerë të asaj periudhe, ishte e zhytur në varfëri. Për të siguruar të ardhurat, për tu shpërngulur në Vjenë, Vivaldi u detyrua të shiste një pjesë të madhe të veprave të tij. Arsyet e largimit të tij prej Venecias nuk janë shumë të qarta, por mendohet se dëshironte të takonte Karlin e VI-të, i cili i adhuronte kompozimet e tij. Në vitin 1727, Vivaldi i kushtoi Karlit të VI-të, veprën muzikore “La Cetra” e cila i siguroi Vivaldit postin “kompozitor mbretëror”. Pak pas mbërritjes së Vivaldit në Vjenë, Karli vdiq. Kjo humbje tragjike e la kompozitorin pa mbrojtje mbretërore. Vivaldi u detyrua të shiste më shumë dorëshkrime të veprave të tij muzikore dhe në vitin 1741 ai u nda nga jeta. Vivaldi u varros në një varr të thjeshtë, vendndodhja e të cilit është në Kishën e Karlit në Vjenë. Pas vdekjes së tij veprat e Vivaldit mbetën në errësirë deri ne fillim te shekullit XX. Shtepia ku Vivaldi jetoi në Vjenë është shembur, sidoqoftë për Vivaldin janë vendosur pllakatë përkujtimore në Miljen e Muzikes Vjeneze si dhe në Sheshin Ruzvelt (Roosevelt Square). Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte, 210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel, 46 opera, sinfoni, 73 sonata, muzikë dhome, disa sonata për fyell, si dhe Muzikë të Shenjtë. Vepra e tij më e famshme është “Katër Stinët”, kompozuar në vitin 1723. Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinevë. Pranvera është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike. “Scanderbeg” është një opera, ndër të rëndësishmet e këtij muzikanti të njohur dhe me të cilën shqiptarët lidhen me Antonio Vivaldin, këtë prift që astma e hoqi mantelin e predikuesit, duke i veshur shkëlqimin e një Hy të muzikës.
Natë e kapërcyellit të 27/28 korrikut të vitit 1741, një nga të mëdhenjt e muzikës klasike shuhet në moshë në moshën 63-vjeçare nga një infeksion i brenshëm. Funerali Vivaldit u zhvillua në St. Katedralja Stefanit. Një përcjellje të korifeut të muzikës pa asnjë notë muzikore veç kumbimit të kambanave dhe ligjërimit kishtar të lamtumirës, kjo pasi nuk disponohej një muzikë e dedikuar për ceremoni të tilla. Antonio Vivaldi u varros më 28 korrik në një varrezë të thjeshtë që ishte në disponim të spitalit publik. Një ndarje pa shumë lavdi e këtij mjeshtri të madh, por ai iku për të mbetur përgjithmonë një i andshëm dhe ngulmues i fuqishëm i normave estetike.
Përgatiti: Albert Vataj