Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Argita Malltezit dhe Jamarbër Malltezit për heqjen e masës së sekuestros ndaj pasurive të tyre, duke lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të Shkallës së Parë.
Vendimi është shpallur këtë të enjte, më 16 janar 2026, nga trupi gjykues monokratik i kryesuar nga gjyqtari Engert Pëllumbi, në kuadër të shqyrtimit të çështjes penale nr. 13, e regjistruar më 7 janar 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, ankesa e paraqitur nga A.M. dhe J.M. kundër vendimit nr. 662, datë 27.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt heqjen e sekuestros preventive, nuk është pranuar. Apeli ka vendosur miratimin e plotë të këtij vendimi, duke konfirmuar vijimin e masës së sekuestros mbi pasuritë në fjalë.

