Grupimi i tifozëve “Plisat” reaguan pas vendimit të FSHF-së për të aplikuar bashkë me Federatën e Futbollit të Serbisë për organizimin e kampionatit evropian për 21-vjeçarët. Ky grupim e cilëson si fyes këtë vendim të federatës shqiptare duke rikujtuar se qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe Luginës së Preshëvës vijojnë të jenë të njëjtat. “Plisat” e Prishtinës kërkuan që FSHF-ja të tërhiqet nga kjo kërkesë.
“FShF paska kandiduar bashkë me Serbinë për organizimin e Evropianit U21.
Nuk e kuptojmë përse një pjesë e Shqipërisë, sidomos asaj zyrtare, i ka përcaktuar vetes detyrën e rehabilitimit të imazhit të Serbisë në sytë e botës!
Serbia mbetet po ajo që ishte për qindra vjet: Gjenocidale, fashiste, antishqiptare dhe mbi të gjitha është ende pushtuese e trojeve tona.
Andaj i bëjmë thirrje Federatës të tërhiqet nga kandidatura e të mos vazhdojë më tutje këtë marri. Nuk mund të bashkëpunoni me një shtet që Luginën e ka ende të pushtuar, e që Kosovën ende e konsideron të veten. Me një shtet që ende na ka shumë borxh.” – shkruhet në postimin e grupimit të tifozëve nga Prishtina.