Nga Hasan Bello

Pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në vitin 1948, Beogradi mbështeti disa banda të armatosura që kalonin kufirin dhe përpiqeshin të “rrëzonin” regjimin komunist. Koha tregoi se kjo ishte një lojë, e cila, pak a shumë, ishte e ngjashme me diversantët shqiptarë që dërgoheshin nga Perëndimi si “mish për top”. Kjo bëhej për t’i treguar Bashkimit Sovjetik se, nëse do të vijonte të ndërhynte në luftën civile në Greqi, ne do të bënim të njëjtën gjë në Shqipëri.

Për të shtuar shantazhin dhe trysninë politike mbi regjimin e Enver Hoxhës, Tito, nëpërmjet UDB-së, shfrytëzoi një pjesë të refugjatëve shqiptarë që ishin arratisur në Jugosllavi, për të krijuar të ashtuquajturin Komitet i Prizrenit.

Më 10 maj 1951, nën drejtimin e UDB-së, në Prizren u mbajt një kongres i emigrantëve politikë, i cili krijoi organizatën “Bashkimi Politik i të Arratisurve Shqiptarë”, me drejtues një ish-mësues matematike nga Pogradeci, Apostol Tanefin. Sipas disa të dhënave, numri i përgjithshëm i anëtarëve të kësaj organizate arrinte rreth 1500 persona.

Në prapaskenë të këtyre zhvillimeve ishin edhe bisedimet sekrete të Titos me Çërçillin në Londër, i cili i kishte premtuar se do ta linte dorë të lirë në Shqipëri, nëse ai do të bënte lëshime ndaj Perëndimit lidhur me Triesten. Por ajo që të bie në sy është kërkesa që Tito i kishte bërë britanikëve: të hiqnin dorë nga mbështetja që i jepnin emigracionit politik shqiptar në Perëndim, e më konkretisht

Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, për veprime të armatosura kundër Enver Hoxhës. Kjo tregon se jugosllavët nuk ishin më të interesuar për largimin e tij dhe rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri.

Komiteti i Prizrenit u përdor për të frikësuar Enver Hoxhën. Në vitin 1953, qeveria shqiptare filloi përpjekjet zyrtare për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë. Ndërsa, de facto, gjatë gjithë regjimit komunist, shteti me të cilin Shqipëria kishte numrin më të lartë të shkëmbimeve tregtare ishte dhe mbeti Jugosllavia. Politikisht dhe ekonomikisht, Shqipëria ka qenë gjithmonë një zonë e influencës jugosllave.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *