Nga Ermal Mulosmani

Në këto kohë robespieriane, kur ethet e qelive te burgut kanë përfshirë gjysmën e qeveritarëve a ish-ëve, më interesantët nuk janë as prokurorët me velin e tyre misterioz (brenda të cilit shpesh fshehin një bosh të madh profesional), e as viktimat që hyjnë përditë në derën e frikshme të selisë hijerëndë.

Më interesantë se prokurorët dhe viktimat janë dy kategori të tjera, shumë të afërta me njëra-tjetrën.

Të parët janë paraprokurorët mediatikë që eksitohen nga vringëllimi i prangave ndaj armiqve të tyre politikë.  

Ata bëjnë përditë hetime paralele, investigime të thella, përgjime skutave të errëta, sjellin dokumente sekrete dhe i tundin si trofe para moderatorëve televizivë, analizojnë veprime, sjellje a vendime për të konkluduar në studio përfundimet e hetimeve të tyre private. 

Frika se mos trupa e prokurorëve po gabon duke toleruar kriminelët politikë i ka kapluar këta paraprokurorë vigjilentë që nuk lënë rast pa u thirrur të deklamojnë pretencën e tyre popullore në emisionet e pafundme televizive. Ndjehet në ligjërimin e tyre një peng i madh: mungesa e gijotinës! Kjo vegël e mrekullueshme  e së shkuarës do të ishte zgjidhja adekuate për krimet e lemerishme të Berishës! 

E veshin deklamimin e tyre me kostumin mallëngjyes të përgjegjësisë para kombit dhe në emër të shkallmimit të institucionit të pandëshkueshmërisë si institucioni që ka shkatërruar këtë vend! 

Kjo etje për gjak e këtyre prokurorëve popullorë më kujton Gamëlenin, Prokurorin e Revolucionit që vuante indiferentizmin popullor në ato çaste magjike të historisë:

“Ç’është kjo mëshirë mizore që po e përkulte Francën?! 

Po ajo duhej shpëtuar megjithë kundërshtimin e saj dhe, sa herë të kërkonte mëshirë, lipsej të ziheshin veshët e të qëlloje. Medet! Qenka e shkruar që atdheu t’i mallkonte shpëtimtarët e tij. Le të na mallkojë pra, mjafton të shpëtojmë! Ta shpëtojmë atdheun pa le të mbytemi në gjak!”

Edhe Gamëlenët tanë janë të bindur se mëshira apo pandëshkueshmëria po e shkatërrojnë këtë vend e ata kanë për detyrë të na shpëtojnë! Ndaj nuk duhet kurrë të ulin tonet apo të tundohen nga mëshira. 

Të dytët janë spektatorët gjakësorë si përfitues politik. Nuk ka gjë më interesante për sytë e mi sesa të shoh transformimin e ish-partiakëve të djeshëm sesi gëzohen për mundësinë e burgosjes së ish-liderit të tyre! Ata nuk lënë rast pa e shprehur kënaqësinë morbide të katandisjes së Berishës në një viktimë të pashpresë të një Perandorie përmes veglës së tyre SPAK. Qeshin, argëtohen, tallen, ekzaltohen. Thurin ditirambe qesharake për prokurorë rastësorë dhe për Ambasadën, për Departamentin e Shtetit, Bidenin, Blinkenin e gjithfarë emisari që mbërrin tangent këtyre anëve.

Kurrë nuk më është dhimbsur më shumë Berisha sesa kur lexoj korbat të këndojnë këngën e gëzimit për arrestimin e një 80-vjeçari. Ajo gjendje ekstaze, ato fjalë  lumturimi, ai përgëzim për Spakistët, ai bekim për Amerikën flet shumë më shumë për ta sesa për Berishën. Edhe sikur Berisha të kishte dashur të më vriste fizikisht mua, do të rezervohesha të shprehja gëzim për arrestimin e tij! Lëre pastaj ta bëja këtë në emër të ardhmërisë së një Partie apo qoftë edhe Opozitës! Po pse, mos mendojnë këta festues entuziastë të burgosjes, se ndonjë nga fanatikët berishistë do të vijnë në kampin amerikano-spakist pas gëzimit morbid të grupimit kundërshtar?! Kurrë në botë! Ata mund të votojnë edhe Ramën por kurrë nuk do mbërrijnë në dyert e Lulzim Bashës. Gëzimi i papërmbajtur i këtyre ditëve do të jetë ndarja përfundimtare e berishistëve me Partinë e Bashës.

Ah, krejt ndryshe do të ishte nëse një vetpërmbajtje e gëzimit, një asnjanësi deri në keqardhje njerëzore do të ndjehej sot mes tyre. Atëherë vërtetë mundet që një ribashkim të mund të ndodhte. 

***

Tani dy fjalë edhe për Republikën e Prokurorëve dhe entuziasmin popullor që e himnizon. Ky mallëngjim popullor do të mbarojë shpejt. Antikorrupsioni, pandëshkueshmëria, SPAK-u e Dumani do të jenë shpejt kujtime të një kohe represioni masiv. Nuk mundet që Prokurorët e SPAK-ut të pushtohen nga histeria popullore e ndëshkimeve masive dhe të firmosin dhjetëra arrestime në ditë. Edhe nëse konstatojnë që korrupsioni ka përpirë çdo qelizë të administratës dhe fajtorët janë gjithandej, nuk mundet t’i arrestojnë të gjithë! Prokurorët duhet të ndalojnë hierarkinë e krimit për të dhënë shembullin e ndëshkueshmërisë dhe për të vënë autoritetin e shtetit ligjor. Nëse krimi ka krimbur çdo autoritet policor a drejtësie është e pamundur të arrestohen të gjithë edhe nëse emrat e tyre dalin në përgjimet ndërkombëtare. Duhet një filtër për të ndaluar më të rëndësishmit, duhet një punë në grup, konsultative, me vende që kanë kaluar situata të tilla për të gjetur zgjidhje adekuate.  

Nuk është vendi për të treguar muskujt por për të ruajtur profilin e ulët të atij që rregullon punë përmes ndëshkimit jo atij që terrorizon të madh e të vogël me pushtetin e pakufizuar dhe përdorimin pa kriter të këtij pushteti. 

Të isha sot në vendin e Dumanit do të mendoja vetëm një gjë: Si ta bëj punën time sa më mirë duke ndëshkuar minimumin e njerëzve? Kjo duhet të jetë deviza e një Prokurori efiçent. Në demokraci nuk ka dhe nuk duhet të ketë  Republikë të Prokurorëve. Reminishenca të kohës së Aranit Çelës nuk duhet të kthehen më.

Por, nëse dëgjon Lenc Vangjelin e Nikoll Lesin, sigurisht do të duket vetja “hero i fëmijëve tanë” dhe, i mallëngjyer, do firmosësh arrestime. Që do duartrokiten frenetikisht sot e do të kthehen në boomerang nesër. 

Ndaj Dumani duhet të ndërgjegjësohet që shpatën në dorën e tij nuk duhet ta vringëllijë majtas djtahtas për të vrarë njerëz por ta përdorë si një bisturi për të prekur ato pjesë të trupit që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme e të domosdoshme. Vetëm kaq. 

Të ndëshkojë kryesorët jo të fusë gjithë administrtaën në burg. 

Detyra kryesore e drejtësisë është të japë drejtësi për të dobëtin, të varfrin, të pambrojturin. Kur ta ketë arritur këtë stad do të besoj në të.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *