Ish-zv.kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ka bërë akuza të forta në një intervistë telefonike për emisionin e gazetarit Çim Peka në Syri TV, duke deklaruar se ndaj tij është udhëhequr një komplot nga kryeministri Edi Rama dhe zbatuar nga Altin Dumani. Sipas Ahmetajt, është ndërmarrë çdo përpjekje për arrestimin dhe futjen e tij në burg, pasi “ata më donin të vdekur dhe të varur”.
Deklaratat vijnë pak ditë pasi zv.kryeministrja në detyrë, Belinda Balluku, është marrë si e pandehur nga SPAK për çështje korrupsioni. Ahmetaj më herët e ka cilësuar Ballukun si një nga figurat kyçe të korrupsionit në vend, duke e quajtur “koka dhe arkitektja e shumë skemave korruptive në shërbim të Edi Ramës”.
Sipas tij, tre janë personat që kanë kontribuar në sulmet publike ndaj tij: Edi Rama, Altin Dumani dhe Belinda Balluku. Ahmetaj u shpreh se i vetmi që mbetet i paprekur nga SPAK është kryeministri Edi Rama, që sipas tij kontrollon me anë të marionetave të tij gjithë korrupsionin në vend.

