Nga Agim Morina

Një autore librash paska shkru: 

“Vërtet që paskajorja Gege as nuk e ha e as nuk e vret askënd, por pjesorja e tipit ‘lexu’, me logjikën e dëshirave do sillte edhe trajta groteske mbiemrash si: njeri i lexu, tokë e punu, burrë i frustru.”

1. A asht e mundun mos me vu re një diçka kaq të thjeshtë, që në gegënishten letrare pjesorja “punue”, si mbiemën, nuk ka dalë as nuk del “i punue”, por “i punueM”? A nuk po del kështu që agumentimi i këtillë asht sa grotesk, aq edhe naiv? Pra, edhe kur pjesorja bahet “punu” (ashtu qysh del në të folunën e rreth 70 për qind të shqiptarëve), mbiemni mbetet “i punuem” (në të folun “i punumë”), apo në një version standardi të reformuem “i punuar”. 

2. Propozimi i pjesores “punu” asht mënyrë e vetme për me i ba vend paskajores së tipit “me punu” në standardin ’72, sepse heq “-ar”-in e toskënishtes (nga punuAR) dhe e-në e gegënishtes (nga punuE). Kështu i jepet zgjidhje një problemi themelor për një standard vërtet të përbashkët e gjithëpërfshimës të shqipes. 

3. Trajta “punu nuk asht “logjikë e dëshirave”. Asht fakt i pamohueshëm që përdoret nga 2/3 e shqiptarëve.

4. Një rast i këtillë “grotesk”, gjithnjë sipas logjikës së këtillë naive, por me një klasë tjetër, ngjan edhe në standardin ’72 me foljet e tipit “mbjell”. Pjesorja e këtyne foljeve nuk asht “mbjellUR”  – qysh hutohen shpesh gegët e shkretë – por asht “mbjellë”, dhe si pasojë, mbiemni del “i mbjellë” dhe jo “i mbjellur”.  Dihet që prapashtesa -UR e pjesoreve me temë në bashkëtingëllore asht e barazvlershme me prapashtesën -UAR të pjesoreve me temë në zanore. 

Kështu befas grotesku na shfaqet gjithandej.

5. Kam përvojë me sharlatanë të këtillë. Njëni që me dhjetëvjeçarë e ka pa “groteske” trajtën “me punu” e më ka kundërshtu vazhdimisht, tash ra copë tue e propagandu këtë trajtë si zgjidhje të vetme. Si duket asht një virtyt i sharlatanëve që një herë me tregu fytyrën vërtetë prej sharlatani, tue kundërshtu naivisht diçka që nuk e kuptojnë, e masandej fytyrën e rreme prej studiuesi, kur e kuptojnë mbas disa dhjetëvjeçarësh.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *