Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kamzës, Arjan Hoxha kërkoi votën e qytetarëve duke premtuar jetësimin e disa projekteve jetike për nevojat e zonës.
Në një video-mesazh nga takimet e tij me komunitetin, Hoxha u shpreh se prioritet i punës së tij do të jetë ndërtimi i By Pass-it të qytetit që do të çlirojë trafikun e ngarkuar në një nga arteriet kryesore të hyrjes në Tiranë.
Hoxha theksoi se tjetër përparësi e punës së tij do të jetë dhe ndërtimi i Poliklinikës së Kamzës, si lehtësim në ofrimin e shërbimit shëndetësor për banorët.
Hoxha nuk la pa përmendur dhe ekipin e futbollit të Kamzës, të cilin premtoi se do e rikthejë në elitën e futbollit shqiptar duke rritur mbështetjen financiare nga bashkia për ekipin.
Hoxha shtoi se qyteti ka nevojë për më shumë hapësira sportive dhe argëtuese për të rinjtë, pa harruar dhe nevojën për më shumë sheshe pushimi dedikuar moshës së tretë.
Hoxha e mbylli apelin e tij për votuesit me angazhim për të kthyer Kamzën në një qytet të jetueshëm për të gjitha kategoritë sociale dhe grupmoshat e ndryshme.