Nga Bardhyl Selimi

Një botim biografik i ri, i pajisur me dokumente arkivore, zbulon shumë anë të errëta të diktatorit Enver Hoxha. Me dyer të blinduara, ku ruhen dosjet e Shërbimit Sekret në Arkivin Qendror, dalin fragmente që flasin për tjetërsimin e historisë personale të diktatorit – në librin e dr. Vasfi Barutit, “Enver Hoxha në optikë të re”, botimet “Uegen”. Ky mund të jetë libri i vetëm pas viteve ’90 që zhvesh diktatorin, pa kursyer asnjë detaj – ndryshe nga botimet e fundit, ku vërehet frika dhe kompromisi.

Më poshtë shënoj disa nga faktet që dekonspirojnë dëshmi të diktatorit, të cilat bien në kundërshtim me dokumentet arkivore, madje dhe ato të klasifikuara si sekret të shërbimit.

Në fokus është misteri i lidhjes së Enver Hoxhës me fashizmin, ku, nga fondi i fshehtë i arkivit, si me “kirurgji”, zbulohen fakte të retushimit ose zhdukjes së pjesëmarrjes së tij në lëvizjen antifashiste dhe mënyra si i shpëtoi arrestimit.

Shtatë argumente – fakte konspiracioni sekret

Fakti 1

Enveri, me “kostumin” e profesorit të Liceut, ishte aktiv në demonstrata antifashiste, por gjithashtu në marrëdhënie të mira me organet fashiste.

“Ngjarjet e ditëve të para të prillit 1939 e gjejnë Enverin në Korçë gjithmonë krye të përpjekjeve për organizimin e një fronti të përbashkët antifashist.”

Paraleelizëm me Zai Fundon: si Fillisht antikomunist, më pas antifashist sërish, ndërkohë që Enveri nuk vuajti pasoja, çka ngre dyshime për rolin e tij si figurant antifashist.

Fakti 2

Në vitin 1939, Profesor Enveri fiton një vizë të specializuar për mjekim në Itali—një gjë e pamundur për një antifashist të profilit. Sipas kujtesave, ai kaloi muaj në banja termominerale për reumatizëm dhe përfitonte mbështetje nga ministria fashiste e brendshme për këtë.

Fakti 3

Demonstrata antifashiste e 28 nëntorit 1939 në Korçë: dosjet flasin për rolin kyç të Enver Hoxhës, por ai jo vetëm që nuk arrestohet, por edhe hiqet nga lista e të akuzuarve, ndryshe nga kolegët e tjerë. Një heqje e tillë mund të ketë ardhur vetëm me ndërhyrjen e organeve fashiste të sigurisë.

Fakti 4

Pas demonstratës, Liceu i Korçës refuzoi pagesën për orët e punës së Enver Hoxhës që nuk i kishte bërë. Por në ditët në vijim, Ministria e Arsimit – nën urdhër të ministrit të brendshëm fashist – urdhëroi pagesën për 142 orë të pabera, duke shfaqur një lidhje të fshehtë me hierarkitë fashiste.

Fakti 5

Në inventarin e AQSH për vitin 1939 mbeti fare rastësisht, si mungesë vigjilence e censurës, një provë se Enveri shkoi në Itali në dhjetor 1939 me vizë nga Ministria e Jashtme dhe e Brendshme fashiste. Në përmbajtjen e dosjes mbeti edhe ky indikacion:

“Korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe drejtorive të gjimnazit Korçë e Gjirokastër mbi transferimin e Enver Hoxhës, shpërblimin e orëve të mësimit dhe dhënien e lejes për të shkuar në Itali për arsye familjare.”

(AQSH, Inventari 1939, fondi 195, dosja 274)

Bobina ka edhe një prerje të shiritit me shënimin:

“Dokumentat janë marrë nga Komiteti Qendror.”

(AQSH, kutia 9, arka 139, bobina 335, 1939)

Shënimi në bobinë është pa emrin e marrësit të dosjes; censori mendoi se zhduku çdo gjurmë të dokumentit dhe nuk i shkoi mendja se dokumentet ishin dubluar edhe në fondin e origjinës: Liceu i Korçës, siç citohet më parë. Në dosje është dokumenti i transferimit të Enverit dhe ai për shpërblimin e orëve të mësimit, por në këtë fond s’mund e s’pritej të ishte leja e Ministrisë së Brendshme, sepse dosja merrej në KQ të Partisë.

Pse duhej marrë “dënimi” kapital: prerja e shiritit të bobinës me gërshërë?

Që dokumenti të ishte vetëm në arkivin personal të Enverit, apo për t’u asgjësuar? Dhe nëse dokumenti në film (bobinë) s’kishte ndonjë sekret, pse duhej prerë ai?

Sepse kishte disa sekrete:

Kërkesa e paligjshme për t’u paguar për një punë të pabërë; Për të fshehur vendimin e Ministrisë së Arsimit, i cili s’kish motiv politik për pushimin e profesor Enverit, siç deshën ta paraqisnin më vonë; Por mbi të gjitha për të fshehur lejen e Ministrisë së Brendshme, që i jepej profesor Enverit për të udhëtuar në Itali “për arsye familjare” në dhjetor 1939.

Enveri, në ditarë, përmend udhëtimin e tij në Itali për arsye shëndetësore, në verë, siç shkruhet më parë – por nuk lë asnjë gjurmë për udhëtimin e tij të dhjetorit 1939! Dhe kjo s’mund të jetë pa arsye. Arsyeja është e qartë.

Fakti 6

Një lojë fashiste për “kapjen” e Enver Hoxhës – “protagonist” në demonstratën e 28 tetorit 1941!

Më 28 tetor 1941, në Tiranë u zhvillua demonstrata e parë politike antifashiste që nga e premtja e zezë e 7 prillit 1939, kur vendi pushtohej nga Italia fashiste. Frytet e demonstratës i korrën komunistët dhe organizator udhëheqës i saj njihej Enveri:

“Demonstrata u bë e madhe, e fuqishme, e furishme; ashtu siç e kishim parashikuar, u përleshëm e u gjakosëm me karabinierinë e me milicinë fashiste.”

(Enver Hoxha, “Kur lindi Partia”)

Në shumë burime, e vërteta është ndryshe, kështu edhe në kujtesën e një pjesëmarrësi aktiv në demonstratë:

“…Demonstrata ishte e rinisë antifashiste dhe e asaj komuniste; rinia e organizoi, rinia mbajti peshën kryesore dhe Enveri s’kishte asnjë rol udhëheqës apo organizator. Ai me shokët e tij ishte vëzhgues në bisht të turmës…”

(Todi Lubonja, 2004)

Në Kalendarin enciklopedik të Vasil Xhaçkës (’45) është fiksuar me dy rreshta se Enver Hoxha u përlesh me një fashist për t’i rrëmbyer nga duart shokun Gjike Kuqali, dhe ky “fakt” mbeti edhe në shkrimin e Enverit:

“u përleshëm e u gjakosëm.”

Kjo edhe mund të jetë e vërtetë, por po aq e vërtetë është se aty ku ndodhi “përleshja”, para Xhamisë së sotme, demonstruesit ishin të rrethuar nga milicia fashiste. Sipas dokumenteve, edhe Zogu s’do të mund t’i shpëtonte atij rrethimi – por ja që Enveri “shpëtoi” dhe doli në ilegalitet!

Që shpëtoi Enveri nga arrestimi fashist ishte një lojë fashiste, e rrëfen edhe vetë Enveri, pa e kuptuar ndoshta as vetë thelbin e rrëfimit të tij të sinqertë:

“…Të nesërmen u detyrova të hidhem në ilegalitet. Ka edhe kjo historinë e vet. Në mëngjesin e 29 tetorit, në “Flora” ia behën karabinierët. Dy prej tyre, krekosur me rripa lëkure kryq e tërthor kraharorit e me këllëfet e revolverëve të hapur, hynë brenda; të tjerët qëndruan jashtë.

Vetëm ato çaste ndjemë se ç’gabim të madh kishim bërë. Kishim menduar se, në rrëmujën e madhe të përleshjes së djeshme, mes atyre qindra e mijëra demonstruesve që tundën Tiranën, fashistët nuk na kishin identifikuar. E ja tani, thuajse të gjithë ne “punëtorët” e “Florës”, ndodheshim përpara çarkut të tmerrshëm.

— “Enver Hoxha!”, thirri njëri nga karabinierët — “Dove Enver Hoxha?!”

Pilo e Ilo Dardha, që ndodheshin në banak, u ngrinë; pecetat në duar. Pasoi një çast heshtjeje, por unë ndërkaq e mblodha veten dhe nga arka e pronarit ortak, zgjata kokën i tëri “xhentilencë” dhe provova të vetmen mundësi që mund të provohej:

— “Ja, këtu brenda është, prisni ju lutem, ta lajmëroj.” – u thashë me zë të qetë e me gjeste të një “gatishmërie” kaq shembullore, sikur mezi prisja rastin t’u bëja pipinovëve një shërbim të çmuar!

Kisha goditur në shenjë. Më besuan. Hyra në pjesën e brendshme të dyqanit, duke thirrur me zë të lartë:

“Enver, të kërkojnë!”

Hapa me shpejtësi derëzën e pasme, të çelur apostafat për raste të tilla, u lëshova në një rrugicë të ngushtë, kapërceva në oborrin e një plake të vetmuar dhe prej andej, duke i rënë mespërmes “Lagjes së çobanëve”, përshkova “i qetë”, por me sytë katër, bulevardin e madh.

Pas disa çastesh, kur hyra në lagjen popullore, matanë bulevardit, u binda se fashistëve vetëm emri u kishte mbetur në duar.”

Enver Hoxha, “Kur lindi partia”, 1982

By Editor