Drejtuesi i “Lëvizja Bashkë” denoncoi sërish treguesit alarmantë të ndotjes së ajrit në Tiranë duke theksuar se oligarkët e kullave po u marrin jetën njerëzve me ndërtimet e tyre si shkaktarë kryesore të ndotjes.
Qori rikujtoi se subjekti politik që ai drejton ka dorëzuar që në prill një peticion me 10.000 firma pranë bashkisë së Tiranës duke kërkuar marrjen e masave konkrete për uljen e treguesve alarmantë të ndotjes në kryeqytet.
“Kurrë nuk e mbaj mend kaq të lartë nivelin e grimcës së rrezikshme PM 2.5 në ajrin e Tiranës. Kjo mirkrogrimcë shkakton vdekje të parakohshme të njerëzve me sëmundje zemre dhe mushkërie. Ndërkohë që të tjerëve u përkeqëson aritminë, astmën etj.
Tirana është një qytet me gjysmë parku, me fare pak pemë, me asfalt e beton në çdo pëllëmbë, me trafik të ngjeshur dhe transport publik të keq.
Në Tiranë thuajse çdo muaj nis të ndërtohet një kullë dhe një mori pallatesh, ndonëse 40% e apartamenteve janë bosh.
Tirana është nën thundrën e një aleance të pashenjtë midis politikanëve të korruptuar si Edi Rama dhe Erion Veliaj, në njërën anë, dhe oligarkëve të ndërtimit dhe mafiozëve që pastrojnë paratë, në anën tjetër. Këta fitojnë e legalizojnë miliarda në dëm të jetës dhe shëndetit tonë, pa u hyrë gjemb në këmbë dhe pa e vrarë mendjen për pasojat e kobshme të veprimeve të tyre.
Në prill të këtij viti Lëvizja BASHKË depozitoi në Këshillin e Ministrave një peticion të firmosur nga mbi 10.000 qytetarë, të cilët kërkonin marrjen e masave urgjente për reduktimin e ndotjes së ajrit në Tiranë. Zëri i qytetarëve nga njëri vesh u hyri dhe nga tjetri u doli atyre që s’ngopen as me rrogën e majme, as me thelat e përditshme të zhvatjes.
Sonte në Tiranë ajri të mbyt. Nesër, me gjasë, do të jetë më keq. Nëse nuk luajmë vendit, në të ardhmen jo të largët pajetueshmëria në qytetin tonë nuk do të jetë thjesht metaforë.” – shkruan Qori.