Kreu i “Lëvizja Bashkë” postoi një video-mesazh në rrjetet sociale, ku u shpreh se partia që ai drejton është e vetmja që ka hartuar një program për zgjedhjet e 11 majit.

Arlind Qori shtoi se kryeministri Edi Rama dhe zyrtarët e partisë në pushtet po tallen me shqiptarët me premtime ditore dhe se nuk kanë asnjë program të mirëfilltë për t’ia paraqitur zgjedhësve.

**“Sude me gjyzlykë më quajti Edi Rama përpara disa muajsh, kur po protestonim bashkë me pensionistët për pensione dinjitoze.

Dhe a e dini pse?

Sepse Lëvizja Bashkë kërkonte që pensioni minimal të llogaritej në bazë të minimumit jetik.

Del sot PS-ja dhe premton të njëjtën gjë, thotë që pensioni minimal do të shkojë rreth 20 mijë lekë të reja, sa mendojnë ata se është standardi i minimumit jetik.

Ky është karagjozllëk, ky është të tallesh me qytetarët, kjo është të kërkosh t’i manipulosh ata orë e çast. Partitë e vjetra, PS, PD, nuk kanë pikën e programit.

Mendojnë një gjë para një minute dhe e hedhin aty në qarkullim publik, thonë: le ta hajë kush ta hajë. E vetmja parti që në këto zgjedhje ka program serioz, të mirëstrukturuar është Lëvizja Bashkë. 177 faqe program, nga të cilat 20 faqe janë vetëm për çështjen e pensioneve.

Ne kemi argumentet ekonomike, ku mund të sigurohen të ardhurat për ta rritur pensionin, për ta çuar pensionin minimal në 21 mijë e 68 lekë të reja dhe pensionin mesatar nga 18 mijë lekë në 33 mijë lekë të reja, duke përgjysmuar informalitetin në punë – që është krejtësisht e arritshme. Në nivelin e Serbisë apo Maqedonisë, ne mund të rikuperojmë rreth 530 milionë euro.

Pastaj, duke luftuar korrupsionin, evazionin fiskal e shumëçka tjetër, mund të sigurojmë të ardhurat jo vetëm për të rritur në mënyrë të qëndrueshme pensionet, por edhe për të investuar në shëndetësinë publike, në arsimin publik.

Ndaj, ju lutem shumë qytetarë: votoni me ndërgjegje, votoni duke lexuar programet e partive, duke peshuar seriozitetin e partive dhe, në fund fare, besoj se do të arrini në të njëjtin përfundim si unë – se në datën 11 maj ka vetëm një alternativë. Ajo do të ketë numrin 2 në listën e partive politike në ditën e votimit dhe ka emrin Lëvizja Bashkë”** – tha Qori.

By Editor