Dy biznesmenë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, janë shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të një hetimi të SPAK për manipulim tenderësh dhe veprimtari kriminale të organizuar.
Prokuroria e Posaçme bën me dije se hetimi përfshin tetë persona, të dyshuar për një skemë të organizuar ku procedurat e prokurimit publik janë manipuluar përmes vendosjes së kritereve të paligjshme dhe presioneve ndaj operatorëve ekonomikë konkurrues. Sipas hetimeve, kompanitë e favorizuara fitonin tenderët ndërsa subjektet e tjera detyroheshin të tërhiqeshin nga ankimimet.
Në këtë skemë, disa administratorë kompanish dyshohet se kanë marrë pjesë fiktivisht në gara, kanë lëshuar fatura të rreme dhe kanë kryer transaksione financiare të paligjshme për të fshehur përfitimet.
Më 16 dhjetor, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ekzekutuar një pjesë të masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata. Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, është vendosur në “arrest në shtëpi”, së bashku me një shtetase tjetër. Ndaj një zyrtari është vendosur pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë vendit, ndërsa tre persona të tjerë janë lënë nën masën e ndalimit të udhëtimit jashtë Shqipërisë.

