ËPas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit nga Spitali Rajonal i Durrësit, autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme ligjore. Shërbimi i Kontrollit të Burgjeve, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, ka urdhëruar arrestimin e tetë personave të dyshuar për shpërdorim detyre.

Lajmi është konfirmuar për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Mes të arrestuarve bëjnë pjesë kryeinfermieri i spitalit, si edhe zëvendësshefi i komanduar i policisë, të cilët dyshohet se kanë pasur përgjegjësi direkte në ruajtjen dhe shoqërimin e të paraburgosurit.

Altin Ndoci, i pandehur në procesin e njohur si “Plumbi i Artë” dhe i konsideruar si vrasës me pagesë i një organizate kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, u arratis gjatë ditës së martë nga ambientet e spitalit.

Ai ishte dërguar për vizita mjekësore në repartin Infektiv, në dhomën e posaçme për të paraburgosurit dhe të dënuarit, pasi kishte shfaqur probleme shëndetësore me veshkat. Në spital, Ndoci shoqërohej nga punonjës të Policisë së Burgjeve dhe ndodhej së bashku me një tjetër të paraburgosur.

Sipas burimeve, në një moment Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet, ku ka goditur njërin nga tre punonjësit e Policisë së Burgjeve që e shoqëronin dhe më pas është larguar, duke përfituar nga rrethanat për t’u arratisur.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *