Nga Ermal Mulosmani

“Investime dhe arrestime” ka qenë një sllogan elektoral i Nikollë Lesit nga vitet 2000…

“Dubrava 12 kat” -thoshte Albin Kurti përpara se të fitonte zgjedhjet e fundit në Kosovë (2021).

“Do ju vëmë tritolin sapo të marrim pushtetin pallateve të paligjshme”, thoshte Berisha i viteve 2003.

E gjithë kjo retorikë e llahtarshme, me burg e tritol, në fakt as që e kishte ndërmend të zbatonte atë që thoshte. Thjesht donte të ngacmonte instiktet gjakësore të popullit. Entuziasmi popullor shkonte në ekstazë. Më entuziastët ëndërronin të bëheshin policë, gardianë apo tritolvënës. Ka një etje të pashpjegueshme vegjëlia për viktima. Që nga antikiteti e deri në kohët moderne nuk ka ndryshuar thelbi, thjesht është moderuar forma. Thirrjet lebetitëse të dikurshme: “shqyeje, vrite, kafshoje, nxirri sytë” thjesht janë shndërruar në arrestime e linçime publike. Populli ka nevojë njësoj për viktima e pushteti nuk guxon ta sfidojë në këtë instikt. Fundja edhe pushteti vetë argëtohet nga viktimat. Deri sa përfundon vetë viktimë.

Radha për “gijotinën” popullore është e Sali Berishës. Ai sundoi 13 nga këto 33 vjet demokraci dhe, përtej faktit që prej më shumë se 10 vjetëve është pronar vetëm i një tablete, arrestimi i tij shihet si shpëtimi i kombit.

Ok, ashtu le të ndodhë. Të arrestohet Berisha. Edhe Rama le të arrestohet. Edhe Veliaj e me radhë. Ky fakt asfare nuk më shqetëson.

Ajo që mua më shqetëson është ekstaza popullore nga kërcëllitja e prangave. Ky manifestim popullor i instikteve kafshërore që gjen paqen te dashuria ndaj prokurorit e urrejtja ndaj avokatit (ah, kush i shpiku këta avokatët. Kish lezet Enveri me ato gjyqet popullore kur baballarët tanë bërtisnin “në litar” dhe gjykatësi thjesht nënshkruante dënimin tashmë të dhënë) kërcënon se po humbasim arsyen.

Një komentues në një status timin të mëparshëm, shprehte zhgënjimin e tij për mbrojtjen që po i bëja Sali Berishës duke kritikuar Dumanprokurorin. Sepse në sytë e tij çdo mospajtim me Dumanprokurorin është anësi e pastër me Berishën. Komentuesi hidhte gjithashtu idenë mbarëpopullore (ose mbarëkombëtare ndoshta) se “ne presim që ky vend të bëhet”. Dhe, sipas tij, “të gjithë jemi koshient se ky vend nuk bëhet pa u futur i gjithë brezi politik në burg me Berishë, Metë e Ramë”…

Sapo të futen këta dhe fap, do të shfaqet Ruzvelti a Çurçilli shqiptar që do të na shpëtojë….

Eh, jam aq i vjetër sa të kem përjetuar disa herë këtë sindrom. Tani jam i bindur se nuk është problemi te kapelja por tek koka. Kokës së këtij populli i bie fiks një si Berisha apo Rama.

Janë fiks këta njerëz që sapo u shan liderucin e tyre të thonë: “Mirë mo mirë, ja e hoqëm këtë po me kë ta zëvendësojmë”. Pra këta e kanë edhe dashurinë si urrejtjen në palcë të shpirtit. Ata e duan me ashk të shpirtit, u shkrepëtijnë sytë në mbrojtje të liderucit dhe pastaj, me të njëjtin pasion gjakësor urrejnë kundërshtarin, kërkojnë burg, burg, burg. Ua vërtisin prangat para syve me kënaqësinë e kafshës së uritur që zbulon prenë.
Pa ndryshuar kjo lidhje e vegjëlisë me politikën, kjo dashuri-urrejtje gjakësore, kjo tërsëllimë masive ky vend nuk do të bëhet. Relaksimi i raporteve të vegjëlisë me politikën, përjetimi i dramave personale të udhëheqësve vetëm si të tilla e jo si dramë popullore është vetëm premisa për një zhvillim shoqëror.

Entuziasmi për Dumanprokurorin është pjesë e këtij deliri kolektiv. Kur populli të mos e njohë fare se kush është Dumanprokurur, kur të fokusohet krejtësisht te familjet e veta e të çështjet shtetërore që i cënojnë interesin e tij publik a personal, kur të ngrihet të protestojë për këto çështje e të mos i kushtojë interesin e tij parësor fatit të politikanit të tij favorit atëherë mund të themi se kemi arritur në një premisë të re për zhvillim.

E fundit. Duke bërë search për të gjetur atë slloganin e famshëm të Nikollës së viteve 2000 rashë në një tjetër sllogan të Nikos, më të përparuar. Aty Niko kishte ndërruar fjalët. Nuk thoshte më “Investime dhe arrestime” por “Arrestime, arrestime dhe…investime”. Pra kryesisht arrestime dhe ndoshta investime. Kur e pashë më erdhi në mendje që edhe investimet duhen bërë në burgje. Pra shkova te sllogani i Albinit: “Dubrava 12 kat”. Më erdhën në mendje dhjetëra burgje, kulla shumëkatëshe me burgje, investim në gardianë, policë, prokurorë, shkolla riedukimi. Qindra milionë euro drejt burgjeve e prokurorisë për të shpëtuar të ardhmen e fëmijëve tanë!

“T’u arrestojmë prindërit që të shpëtojmë fëmijët”, ja një sllogan interesant i së ardhmes!

Ndërsa sllogani i Nikos në vitin 2025 do të ketë një ndryshim të vogël. Nuk do jetë më “Arrestime, arrestime dhe investime” por “Arrestime, arrestime dhe vetëm arrestime”!

Shpresoj t’ia arrij kësaj dite.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *