Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja u arrestua, ndërsa në kërkim u shpall Altin Hajri, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Nga bisedat e zbardhura në aplikacionin SkyECC provohet se Çyrbja kërkoi ndihmën e Hajrit për një pozicionim të sigurtë në listën zgjejdhore të Partisë Socialiste.
Raportohet se Hajri ka ndërhyrë te strukturat drejtuese të PS-së më qarkun e Durrësit për listimin e Çyrbjes në pozicion të sigurtë për të marrë mandatin e deputetit.
Po ashtu nga bisedat në SkyECC provohet se Çyrbja i ktheu nderin Hajrit duke e ndihmuar të fshihet pasi u shpall në kërkim i akuzuar për zhdukjen e shtetasit Jan Prenga.
Bashkë me Çyrbjen në pranga u vu dhe shtetasi Ahmet Masha.
Çyrbja e dorëzoi mandatin e deputetit pasi u mor fillimisht në pyetje nga SPAK-u, ndërsa më pas u arrestua.
Ai pritet të gjykohet për shpërdorim detyre si ish-drejtues i Kadastrës së Durrësit dhe për lidhjet e tij me grupet kriminale në zonën e Shijakut.