Policia e Kosovës ka arrestuar të martën katër persona në fshatin Arllat të Drenasit, përgjatë rrugës nacionale Pejë–Prishtinë, nën dyshimin për kalim të paautorizuar të kufirit.
Sipas raportit 24-orësh, rreth orës 13:30, njësitë policore ndaluan një automjet me targa shqiptare, të drejtuar nga një shtetas shqiptar. Gjatë kontrollit, brenda makinës u zbuluan edhe tre persona të tjerë: dy shtetas bjellorusë dhe një shtetas rus.
Hetimet fillestare tregojnë se të arrestuarit dyshohet se kishin kaluar ilegalisht kufirin nga Shqipëria në Kosovë. Të katër personat janë arrestuar në vendngjarje dhe, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje për procedura të mëtejshme ligjore.

