Një debat gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Pogradecit ka përfunduar në konflikt fizik dhe arrestim. Policia njoftoi se ka ndaluar në flagrancë 27-vjeçarin K. M., banues në Pogradec, i dyshuar për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Ngjarja ndodhi më 10 nëntor, rreth orës 14:25, brenda ambienteve të Bashkisë, ku po zhvillohej mbledhja me praninë e qytetarëve. Sipas Policisë, gjatë debatit, i riu fillimisht ka ofenduar disa prej anëtarëve të Këshillit, ndërsa më pas ka goditur me grusht këshilltarin bashkiak E. Sh., 47 vjeç. Materialet e çështjes i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

Pas arrestimit, dhjetëra qytetarë janë mbledhur në mbrëmje para Komisariatit të Pogradecit, duke kërkuar lirimin e Kevi Muçllarit. Ata e cilësuan arrestimin të pajustifikuar dhe thanë se ngjarja është interpretuar më rëndë nga sa ka qenë në realitet.

Avokati mbrojtës, Endri Çela, deklaroi se ngjarja nuk përbën goditje të qëllimshme dhe se, sipas tij, bëhet fjalë për një shtyrje të çastit gjatë debatit. “Nuk jemi në kushtet e goditjes për shkak të detyrës. Konflikti nuk është provokuar nga Kevi dhe duhej që të gjitha palët të shoqëroheshin e të jepnin deklarimet,” tha ai. Avokati tha se do të kërkojë në Prokurori vlerësimin e arrestimit si të paligjshëm dhe, nëse kjo kërkesë nuk pranohet, çështja do t’i drejtohet gjykatës me kërkesën që të mos vendoset masë sigurie ndaj 27-vjeçarit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *