Policia e Kosovës ka arrestuar sot Millosh Steviq, i njohur me nofkën “Grebeni”, nën dyshimet për ushtrim të ndikimit, presionit dhe orientimit të votës përmes detyrimit dhe shantazhit.
Burime të KosovaPress-it brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se Steviq është shoqëruar në stacionin policor në Graçanicë, ku aktualisht po intervistohet nga hetuesit.
Sipas të njëjtave burime, ndaj tij rëndon dyshimi se ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve për orientimin e votës, duke përdorur forma të shantazhit dhe detyrimit. Po ashtu, ai përshkruhet si “dora e djathtë e Milan Radoiçiqit”, figurë e njohur e strukturave kriminale dhe politike serbe në veri të Kosovës.
Gjatë kontrollit, Policia ka sekuestruar një fletore me shënime, ku sipas KosovaPress-it figurojnë emra të kandidatëve të Listës Serbe. Mediat kanë siguruar edhe fotografi të kësaj fletoreje.
Po ashtu, Steviqit i janë gjetur para të gatshme, kryesisht në kartëmonedha prej 20 dhe 50 eurosh, të cilat janë konfiskuar në kuadër të procedurës hetimore.

