Presidenti i Fenerbahçes, një nga klubet më të mëdha sportive të Turqisë, është arrestuar në Stamboll të mërkurën, në kuadër të një hetimi të zgjeruar për trafik droge që ka përfshirë figura të njohura të botës së argëtimit dhe medias, raportojnë mediat shtetërore turke.

Sipas transmetuesit shtetëror TRT, Sadettin Saran u vu në pranga vetëm disa orë pasi analizat mjeko-ligjore zbuluan gjurmë narkotikësh në mostrat e flokëve të tij. Ai ishte thirrur një javë më parë për të dhënë dëshmi para prokurorëve dhe ishte dërguar në një institucion mjeko-ligjor për të dhënë mostra flokësh dhe gjaku.

Hetimi, i cili po mbikëqyret nga Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit, ka nisur që në fillim të dhjetorit dhe deri më tani ka çuar në arrestimin e disa personave. Mes të ndaluarve përfshihen prezantues televizivë, gazetarë, këngëtarë, aktorë dhe personalitete të njohura të mediave sociale.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi akuzat konkrete ndaj Saranit, ndërsa hetimet vijojnë. Ndërkohë, rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe në botën sportive turke, për shkak të profilit të lartë të personave të përfshirë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *