Tetorin e 2019-ës, Granit Xhaka u përplas me tifozët e Arsenalit pas ndeshjes me Kristal Palas dhe raporti i tij me klubin londinez u konsiderua i mbyllur.
Xhakës iu hoq shiriti i kapitenit dhe kalimi i tij te Herta e Berlinit ishte shumë afër.
Mikel Arteta ndërhyri dhe tekniku i topçinjve e bindi Xhakën të qëndronte.
Më pas gjithçka ndryshoi. Xhaka i dy sezoneve të fundit është pikë referimi për Arsenalin që këtë vit po lufton denjësisht për titullin kampion.
Mediat britanike shkruajnë se Arsenali i ka ofruar Xhakës mundësinë e zgjatjes së kontratës deri në vitin 2025-ë.
Kontrata e 30-vjeçarit shqiptar skadon verën e vitit të ardhshëm ku ai fiton 7 milionë euro në sezon.
Granit Xhaka është pjesë e Arsenalit që nga viti 2016-ë kur u largua nga Borusia e Mönchegladbach-ut për të zbarkuar në Londër.