Nga Blerina Hoxha – Monitor.al

Universitetet po rezultojnë hallka më e dobët e sistemit arsimor në vend. Rënia e numrit të studentëve dhe rritja e fondeve nuk po shoqërohet me rritje të cilësisë, teksa hendeku ndërmjet nevojave të tregut të punës dhe programeve të studimit po zgjerohet, në vend që të ngushtohet.

Tani kur teknologjia po formëson të gjithë aktivitetin jetësor kudo në botë, universitetet shqiptare nuk janë të gjendje të zhvillojnë bazat më të thjeshta të kërkimit as në nivel pedagogësh, teksa aftësitë digjitale të një pjese të stafit dhe studentëve mbeten të kufizuara.

Ndërmjet 2016-2024, numri i studentëve ka rënë me 13.5%, teksa në universitetet publike, rënia është dyfish më e fortë me 25% sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.

Qeveria ka shpallur një reformë të re që synon të trajtojë problematikën në arsimin e lartë. Por reformat në arsim zakonisht shtyhen nga emergjencat e momentit, për shkak se nuk i japin rezultatet sot për nesër, por kanë koston më të lartë në zhvillimin afatgjatë.

Sipas dokumentit zyrtar të Ministrisë së Arsimit për “Universitetin 2030”, vihet një theks më i fortë në lidhjen mes arsimit të lartë dhe tregut të punës. Universitetet orientohen të profilizojnë ofertën akademike sipas nevojave reale të ekonomisë kombëtare dhe rajonale. Një tjetër risi qendrore është zhvendosja e fokusit drejt kërkimit shkencor dhe inovacionit si shtylla të arsimit të lartë, si dhe ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë.

Selami Xhepa, presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, tha se kërkesa e UET është përqendruar veçanërisht te lehtësimi i burokracisë në hartimin dhe miratimin e programeve të studimit, një aspekt që pengon reagimin e shpejtë të universiteteve ndaj ndryshimeve të tregut të punës dhe kërkesave të studentëve. Një tjetër pikë e rëndësishme lidhet me rritjen e mobilitetit të studimeve, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.

Institucionet e Arsimit të Lartë jashtë Tiranës janë të shqetësuar për efektet e reformës. Florian Bjanku, profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, argumenton se reforma e arsimit të lartë po shkon drejt një centralizimi “de facto” në boshtin Tiranë–Durrës, duke lënë universitetet rajonale në nënkapacitet dhe duke krijuar pabarazi territoriale.

Shpenzimet publike për arsimin në vitin 2022 ishin vetëm 2.9% e PBB-së, ndërsa më 2025 pritet të arrijnë në 2.4% të PBB dhe në vitin 2028 do të jenë vetëm 2.1% të PBB-së, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.

Financimet sipas meritës dhe profilizimit

Sipas dokumenteve fillestare të reformës për arsimin e lartë, financimi i universiteteve publike do të kalojë nga një sistem linear në një model që shpërblen rezultatin. Formula aktuale e financimit mbështetet kryesisht në numrin e studentëve, programet prioritare dhe të ardhurat nga tarifat e shkollimit. Qasja e re propozon investime direkte në profilizimin e universiteteve, duke favorizuar ato që identifikohen me nevoja specifike, sidomos zhvillimin rajonal.

Nëse një universitet operon në një zonë me potencial turistik apo industrial, fondet shtetërore do të mbështesin programe që furnizojnë drejtpërdrejt ekonominë rajonale. Suksesi matet në tre fronte: mësimdhënia akademike, kërkimi shkencor dhe roli social-ekonomik i universitetit.

Cilësia problem, gjysma e pedagogëve part-time

Raporti i Bordit të Akreditimit të Arsimit të Lartë (2024) tregon se pothuajse gjysma e stafit akademik (48%) punon me kohë të pjesshme. 39% e universiteteve raportojnë sfida serioze lidhur me formimin e vazhdueshëm të stafit. Pa një trupë akademike të kualifikuar, diplomat e studentëve rrezikojnë të mbeten letra pa vlerë në një treg pune që kërkon inovacion.

49% e universiteteve, pa lidhje me kërkimin shkencor

Raporti i Bordit të Akreditimit tregon se rreth 49% e institucioneve të arsimit të lartë vuajnë nga investimet e pamjaftueshme në shkencë dhe infrastrukturë kërkimore, ndërsa hendeku reflektohet në numrin e ulët të patentave dhe mungesën e interesit nga industria për të financuar inovacionin akademik.

Nevoja për fond special për literaturën bazë në gjuhën shqipe dhe modernizimin e bibliotekave mbetet sfidë kryesore për universitetet shqiptare.

Kosto vjetore për student kalon 1,600 euro

Kostoja mesatare vjetore për një student pritet të shënojë rritje deri në 162,000 lekë brenda vitit 2025. Megjithatë, Shqipëria operon me model “low-cost” krahasuar me vendet e rajonit dhe Europës. Hendeku financiar shpjegon pse universitetet kanë më pak laboratorë, më pak kërkim shkencor, paga më të ulëta për pedagogët dhe vështirësi për t’u integruar në hapësirën akademike europiane.

Lidhje e dobët me tregun e punës, 40% e diplomave jashtë profilit

Shumë programe studimi mbeten teorike dhe jo të përditësuara. Tranzicioni nga universiteti në punësim është i vështirë; rreth 30–40% e të diplomuarve ushtrojnë profesione jashtë profilit të tyre. Shumë vende pune klasifikohen si “punësim i ndjeshëm”, ndërsa investimet publike në arsim janë vetëm 2.9% e PBB-së.

Burokraci e lartë me programet

Universitetet shqiptare mbeten të mbërthyera në një burokraci që zgjat mesatarisht 12–18 muaj për të miratuar një program të ri studimi. Reforma synon fleksibilitet në hartimin dhe miratimin e programeve, duke përfshirë bashkëpunimin me biznesin dhe industrinë dhe lehtësimin e riakreditimeve për ndryshime lëndësh.

https://monitor.al/arsimi-i-larte-ne-udhekryq-2/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *