Granit Xhaka dhe Arsenali i tij janë befasia më e madhe e këtij sezoni në kampionatin anglez të futbollit. Topçinjtë e Londrës kryesojnë në renditje me Xhakën që po zhvillon sezonin më të mirë në karrierën e tij. Tekniku i Arsenalit, Mikel Arteta ka folur për rëndësinë e mesfushorit shqiptar në ekipin e tij duke theksuar se Xhaka kishte patur paqartësi për të ardhmen, por në fund kishte vendosur të qëndronte. “Ne folëm gjatë së bashku. Folëm hapur dhe sinqerisht. Ai kishte kaluar momente të vështira me ne, por unë gjithnjë kam besuar në potencialin e tij. E binda të qëndronte dhe koha po tregon se ai bëri zgjedhjen e duhur. Ai ka rifituar raportin me tifozët dhe e ndjen sërish ngrohtësine e tyre dhe kjo do të thotë shumë për një lojtar me karakteristikat e tij.” – u shpreh Arteta.
Për teknikun e Arsenalit, Xhaka është shembull i sjelljes brënda dhe jashtë fushe, cilësi këto që i japin atij atributet e një lideri në ekip. “Mënyra se si ai i trajton të tjerët brënda dhe jashte fushe flet shumë për karakterin e tij si futbollist dhe si njeri. Ai ka cilësi prej lideri dhe kjo është një ndihmë e madhe për shokët në fushë të cilët mund të mbështeten tek ai. Shpresoj që Graniti të vazhdojë të tregojë këtë nivel dhe grintë sa më gjatë” – shtoi tekniku i Arsenal.