Kanë qenë të shumta reagimet e shqiptarëve për fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë, e sidomos ndaj gjuhës raciste që trajneri i serbëve përdori ndaj shqiptarëve. Suksesi i dy shqiptarëve si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk kanë prodhuar asnjë reagim nga kryemnistri i Shqipërisë, Edi Rama. As racizmi vulgar i trajnerit të Serbisë nuk ka mjaftuar që kryeministri i Shqipërisë të shkruajë dy rreshta në respekt të shqiptarëve që u fyen si komb nga fjalori i Dragan Stojakoviçit.
Ky indiferentizëm i kreut të ekzekutivit shqiptar të kujton letrën e tij drejtuar Sinisha Mihajloviçit, i cili si futbollist mbahet mend per shprehjen pa dorashka të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Rama shpreh adhurimin e tij ndaj një shovisti serb, tashmë të sëmurë me leuçemi, por nuk thotë një fjalë të vetme për dy shqiptarë që bënë histori dhe një trajner serb që ofendoi nënat e kombit të tij.
Letra e Edi Ramës drejtuar Sinisha Mihajlloviçit
“i dashur mister, jam Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ish-lojtar i Kombëtares së basketbollit shqiptar dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit. E mora numrin tuaj të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, Aleksandar Vuçiç. Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad. Kam dashur gjithnjë t’ju shprehja admirimin tim për egërsinë me të cilën po përballoni armikun tuaj më të frikshëm të jetës, por edhe për t’ju thënë se pasi keni mundur shumë portierë direkt nga goditjet e dënimit, ju me siguri jeni i zoti të mundni edhe hijen që është vendosur mes jush dhe portës tuaj të së ardhmes. E di shumë mirë rrezikun që mesazhe të tilla solidariteti mund të bëhen të mërzitshme për një kokëfortë si puna juaj, por ju siguroj se ky i imi nuk është një mesazh i kësaj natyre. Përkundrazi, është shprehje e një admirimi antik. Ju kërkoj ndjesë që nuk arrita t’ju shpreh më mirë ndjenjën e vlerësimit të lartë dhe simpatisë kundrejt jush, por nëse do të duhej një dëshmitar, atëherë miku ynë i përbashkët mund t’ju sigurojë se, tashmë prej vitesh, nuk ndodh asnjëherë që të mos flasim për ju si një figurë speciale në botën e futbollit. Duke ju uruar gjithë të mirat juve dhe të dashurve tuaj, nuk po ju bezdis më me shpresën se një ditë do të mund t’ju takoj personalisht. ER”