Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka përfunduar shqyrtimin e rastit që lidhet me prokurorin e Elbasanit, Gjergj Ceka, pas incidentit të ndodhur më 17 tetor 2025 në sallën e gjyqit, ku u përfshi edhe avokati Ulian Bajrami.
Sipas të dhënave, gjatë një seance gjyqësore mes palëve ka pasur një debat të tensionuar, ku prokurori Ceka i është drejtuar avokatit Bajrami me fjalët “Do të të arrestoj”. Disa orë më pas, avokati Bajrami është arrestuar me akuzën e “kanosjes së prokurorit”.
Arrestimi i avokatit ka shkaktuar reagime nga Shoqata e Avokatëve dhe juristë në mbarë vendin, të cilët kanë kërkuar hetim për veprimet e prokurorit dhe respektimin e standardeve të komunikimit në sallën e gjyqit.
Në vendimin e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, vlerëson se prokurori Gjergj Ceka ka shkelur rregullat e solemnitetit dhe etikën në komunikim, duke mos treguar vetëpërmbajtje gjatë seancës. Megjithatë, ILD konstaton se këto shkelje nuk kanë sjellë pasoja konkrete në ushtrimin e funksionit të prokurorit.
Po ashtu, në arsyetimin e vendimit thuhet se veprimet e prokurorit janë konsideruar të nxituara, për shkak të mungesës së përvojës profesionale, çka ka sjellë mosmarrjen e masave disiplinore ndaj tij.

