Át Donat Kurti në kujtimet e Át Zef Pllumit përpara trupit gjykues: 

Át Donat Kurti tha: – Me shka kuptova nga pretenca e prokurorit m’u duk se un meritojshem vdekjen, por si fillim kerkonte burgun e perjetshem. Un e kam ndergjegjen të paster, se me dijen time nuk i kam bâ kurrkuj keq. Prandej, si jeta në burg, si vdekja, për mue janë e njajta gjâ, nuk më bâjnë fare përshtypje. Prej jush nuk pres asnji të mirë. Mue më vjen keq vetem nji gjâ se puna po më mbetet përgjysë. Kam shkri gjithë jeten time për popullin, se ky asht ideali i çdo klerikut për Fé e për Atdhé. I kam sherbye popullit tim gjithë jeten pa marrë parasysh asnji sakrificë o vuejtje.

Trupi gjykues kishte mbetë i habitun tue e ndigjue që në fjalët e para. Kryetari i gjyqit atëherë ndërhyni e i këputi fjalen:

– Ç’flet ore ti ashtu? Po ku është lufta që ke bërë ti e ne nuk e dijmë? Për çfarë mburresh ti?

– Ju me të vërtetë nuk dini kurrgjâ se mendjen e keni te pushka, ndersa un atê nuk e njof fare, arma ime asht penda. Un deri tash i kam mbledhë të gjitha kangët që paraqesin nderen e burrninë shqiptare. Kam mbledhë gjithë urtinë, mendimin e filozofinë e jetës popullore që paraqiten nën trajtën e prrallave kombtare; aftësitë trupore të shqiptarit ndër lojna. Visaret e kombit i kam mbledhë jo për vedi, por që t’ia ruej popullit e t’ua msojmë fëmijve tonë. Tashti e gjithë kjo punë këputet e mbetet përgjysë. Prandej kerkoj që në rasë të nji dënimi me burg të perjetshem, të lejohem me vazhdue në punën e ksaj vepre për të mirën popullit.

Át Donati, me thanjen e këtyne fjalve të paprituna, e bani trupin gjykues që të mbesi shtang para tij me gojë hapun.

Át Zef Pllumi, Rrno vetëm për me tregue, vëll. I, Botime Françeskane, Shkodër, 2015, f. 194-195.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *