“Mora vesht se qysh me hymjen në fuqi të Statutit të Kishës organet e pushtetit kishin lejue edhe festimin e Natës së Këshndellave, sikurse lutej dikur.
Fillova pregatitjet: sajova nja dy–tri vjersha Këshndellash, simbas mendësisë të maleve. Zoti më faltë, por e paraqitshem sikur Krishti të kishte le ndër këto male tona e jo në Betlehem. Po gjithashtu pikturova nja dy tre engjuj; nuk ishem piktor profesionist, megjithkëta paesazhet e dekoracionin i kam ushtrue që në fëmijní. Në nji kand të Kishës pregatita Shpellën e Betlehemit me gjethe, lule, bar e shkambij. Dërgova në Shkodër Vatën, djalin e ri, me nji adresë në dorë, për me ble 10 litër benzinë dhe dy petromaksa. Njanin e vuna në punë menjiherë e, kur e ndeza, dola me të në dorë aty jashtë. Shëndriti e gjithë Kodra e Kishës së Shën Qurkut. Njerëzit atë natë e kishin pa së largu prej katundeve tjera që shtriheshin ndër shpate e brija të maleve. Mandej hyna në kasollen time të mjerë. Ata dy fëmijtë, Pepa e Mirashi, ishin tepër të gëzuem. N’e nesre ndër gjithë lagjet e Ndregjinaj, Gjoshaj e Pilotaj edhe Palaj u përhap fjala- si duket ma shumë prej atyne dy fëmijve –se frati i ri kishte ble dy elektrikë, nji për vedi e tjetrin për lopën. Pa kalue mirë 24 orë filluen me ardhë njerëz me më këshillue: “More zotni, lopët tona hanë edhe në terr, por a ke me u vu gja para!”. Të gjithëve ua lashë tehin mbarë. Vetëm kur mbërrini Nata e Këshndellave, porsa filluen me u dukë nga të gjitha anët e brijave e shpateve flakët e vravashkave të cilat drejtoheshin të gjitha për te Kisha, pregatita edhe petromaksin e dytë. Mbasi e ndeza dola jashtë. Bora e ngrime ndriste nën dritën e petromaksit. Nuk frynte erë. E vendosa atë dritë jashtë, deri që filluen me mbrijtë çetat e para të njerëzve; vetëm atëherë e shtina në Kishë, e cila shëndriti siçmos kurrë. Nga gjashtë dritaret e Kishës shpërthejshin rreze, që ndritshin borën e bardhë. Prej larg dukeshin si rreze qiellore. Ndërsa udhtarët, pelegrinët çobanë e mbretën të maleve drejtoheshin kah drita e asaj komete toksore. Kje me të vërtetë nji natë e mrekullueshme. Drita asht ma e fortë se sytë dhe depërton drejt e në mendje e zemra të njerëzve. (Vetëm qorrat qorra mbeten gjithmonë qorra). U ngazllye i gjithë populli e me tê edhe un. Ajo kje e pra natë që kishem rreth vedit të mbledhun përfaqësuesët nga të gjitha lagjet e Shoshit. Para se me fillue ceremonitë fetare të natës, fëmijt e mësuem prej meje filluen programin festiv. Kënduen disa kangë e sidomos recituen aq bukur vjershat e pregatituna për atë natë, sa populli, i kënaqun prej fëmijve të vet, më dhanë lavdet mue se kishen pasë aq kujdes me i mësue ashtu. E vetmja gja që u prishej ishte mendimi i largimit tem, porsa të shkrihej bora e të dalin prandvera”.