Një audioincizim i siguruar nga Radio Televizioni i Kosovës ka nxjerrë në pah pretendime për lidhje të ngushta të Fatmir Shehollit me përfaqësues të Listës Serbe dhe Milan Radoiçiçin, i cilësuar si terrorist nga autoritetet kosovare. Në regjistrim, Sheholli dëgjohet duke biseduar me një grua dhe një burrë, të cilëve u flet hapur për kontaktet e tij me eksponentë të kësaj partie dhe me Radoiçiçin, të cilin e quan “mik i madh”.

Publikimi i incizimit vjen vetëm pak ditë pas arrestimit të Shehollit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e cila njoftoi se ai dyshohet për veprën penale të “spiunazhit”. Arrestimi u realizua nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas një procesi hetimor që kishte vazhduar për disa muaj.

Gjatë ditës së enjte, njësitet policore zhvilluan edhe një bastisje në banesën e Shehollit, prej nga u sekuestruan materiale që mund të shërbejnë si prova në kuadër të hetimeve në vazhdim.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *