Forca e Sigurisë së Kosovës gjatë vitit 2025 është furnizuar me automjete të blinduara e me dronë pa pilotë, derisa në të ardhmen pret të forcohet edhe me sisteme raketore të shteteve të fuqishme. Për pajisjet me mjete ushtarake, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar disa herë gjatë periudhës njëvjeçare.

Në korrik të vitit 2025, FSK ka pranuar disa automjete të blinduara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të një programi për blerje të veçanta.

Ndërkohë, muaji gusht ishte momenti kur u zhvillua ceremonia solemne e pranim-dorëzimit të autoblindave me prejardhje amerikane. Ministria e Mbrojtjes kishte njoftuar se ky investim është i rëndësishëm në modernizimin e ushtrisë.

“Ky përkushtim siguron që FSK-ja të jetë një forcë e avancuar dhe e ndërveprueshme, e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me ushtritë e vendeve anëtare të aleancës euro-atlantike, për të krijuar një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për gjithë qytetarët tanë.” – thuhej mes tjerash në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Nga Shtetet e Bashkuara, Kosova kishte marrë edhe fluturaket pa pilot “AeroVironment RQ-20 Puma”. Sipas njoftimit të datës 08.09.2025, këto fluturake do të forcojnë fushën e vëzhgimit dhe operacioneve ajrore pa pilot.

Kosova ka pranuar dronë edhe nga Turqia. FSK-së i erdhën dronët “Skydagger” të prodhuar nga kompania “Bayraktar”. Ministria e Mbrojtjes në njoftimin për pranimin e tyre ka thënë se me këtë furnizim forcohet kapaciteti goditës i ushtrisë.

“Kontrata me kompaninë ‘Bayraktar’, që është kompania amë e prodhuesit ‘Skydagger’, u nënshkrua në nëntor të vitit të kaluar. Sipas planit fillestar, dronët duhej të mbërrinin në janar të vitit 2026, mirëpo, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të kompanisë, dorëzimi u realizua tre muaj më herët.” – kishte njoftuar Ministria e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes, në përgjigje me shkrim për KALLXO.com, kanë thënë se nga viti 2021 deri në nëntor 2025 u investuan mbi 400 milionë euro në blerje të sistemeve të armatimit.

“Sa i përket llojeve të blerjes të liferuara dhe atyre në pritje, janë informacione të klasifikuara dhe rrjedhimisht nuk mund të publikohen, përveç atyre që tashmë janë ndarë me publikun.” – janë përgjigjur nga kjo Ministri në pyetjet e drejtuara nga KALLXO.com.

Në bazë të raporteve të buxhetit të dërguara nga Ministria e Mbrojtjes, kuptohet se vetëm gjatë vitit 2025 janë shpenzuar 10 milionë e 280 mijë euro për municione, kurse 83 milionë e 910 mijë e 435 euro u shpenzuan për sisteme të armatimit.

Burimi: KALLXO.com

https://kallxo.com/gjate/autoblinda-dhe-drone-pa-pilote-rritja-e-fuqise-ushtarake-e-fsk-se-me-2025/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *