Kryeministri i Libisë, Abdul-Hamid Dbeibah, konfirmoi të martën vdekjen e gjeneralit Muhammad Ali Ahmad al-Haddad, shefit të ushtrisë libiane, i cili humbi jetën në një aksident ajror në Turqi, njofton DW.

Autoritetet turke bëjnë me dije se bëhet fjalë për një avion privat Dassault Falcon 50, me të cilin delegacioni libian po kthehej nga një vizitë zyrtare në Ankara. Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, tha se avioni u nis nga aeroporti Esenboga në orën 20:10 me kohën lokale, ndërsa kontaktet me kontrollin ajror u humbën rreth 40 minuta më vonë.

Burhanettin Duran, kreu i Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës turke, deklaroi se ekuipazhi kishte raportuar një defekt teknik dhe kishte kërkuar ulje emergjente. Pak çaste më pas, avioni humbi kontaktin dhe u rrëzua rreth 70 kilometra në jug të Ankarasë. Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë shpërthimin e avionit në tokë.

Në një postim në Facebook, kryeministri Dbeibah e cilësoi ngjarjen si një “aksident tragjik”, duke theksuar se delegacioni po kthehej nga vizita zyrtare në Turqi.

Përveç gjeneral al-Haddad, në avion ndodheshin edhe katër pasagjerë të tjerë: këshilltari Mohammed Al-Asawi Diab, gjeneralmajor Al-Fitouri Ghraibil, këshilltari Mahmoud al-Qatiwi dhe fotografi Mohammed Omar Ahmed Mahjoub. Autoritetet turke konfirmuan se tre anëtarë të ekuipazhit gjithashtu humbën jetën.

Turqia mban marrëdhënie të ngushta me qeverinë e njohur nga OKB-ja në Tripoli dhe i ofron asaj mbështetje ushtarake.

Libia vazhdon të përballet me paqëndrueshmëri politike dhe siguri të brishtë që nga rrëzimi i Muammar Gaddafit në 2011. Aktualisht vendi është i ndarë mes qeverisë së Dbeibah në perëndim dhe një qeverie rivale në lindje, të udhëhequr nga Osama Hammad dhe e mbështetur nga Rusia.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *