Avokati i Popullit ka reaguar pas protestës së opozitës, të zhvilluar në Tiranë, duke kërkuar nga forcat e rendit vetëpërmbajtje dhe respektim të standardeve profesionale gjatë menaxhimit të tubimeve.
Sipas njoftimit zyrtar, institucioni ka ndjekur nga afër zhvillimet në terren përmes një grupi pune, i cili ka monitoruar të gjithë itinerarin e protestës, si dhe ka zhvilluar vizita në spitale dhe komisariate për të verifikuar gjendjen e personave të ndaluar apo të lënduar.
Nga të dhënat paraprake rezulton se të paktën 12 persona madhorë janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa 4 të mitur janë shoqëruar dhe më pas janë lënë të lirë pas procedurave të verifikimit.
Në Spitalin e Traumës, përfaqësuesit e institucionit kanë administruar edhe një ankesë nga një protestues, i cili pretendon se është ushtruar dhunë ndaj tij nga policia. Për këtë rast është bërë me dije se ka nisur një hetim administrativ.
Avokati i Popullit thekson se mbështet tubimet paqësore, ndërsa u bën thirrje forcave të rendit të tregojnë vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm në çdo situatë.
Gjithashtu, kërkohet transparencë mbi protokollet e ndjekura nga policia, sidomos në lidhje me përshkallëzimin e forcës dhe përdorimin e mjeteve për shpërndarjen e turmave, si gazi lotsjellës apo uji.

