Sezoni me shumë ulje-ngritje i Bajernit të Mynihut ka shtyrë drejtuesit e klubit të nisin më herët planet për sezonin e ri.
Tekniku Tomas Tuhel ka njoftuar largimin e tij në fund të sezonit, por ai nuk pritet të jetë i vetmi.
Disa nga titullarët mund të largohen nga klubi bavarez pasi cikli i tyre vlerësohet i përfunduar.
Mesfusha duket se do të rindërtohet për sezonin e ri pasi Sane, Kimish dhe Goretzka nuk ofrojnë garanci për të ardhmen pasi rendimenti i tyre në ndërtimin e manovrës sulmuese të ekpit ka shfaqur mangësi të dukshme.
Me valixhe në duar mund të jetë dhe Gnabri pasi paraqitjet e mira të sulmuesit duket se i përkasin arkivave.
Linja e majtë e mbrojtjes me shumë gjasë do të mbetet pa Alfonso Dejvis. Që nga koha e rikthimit nga dëmtimi, mbrojtësi duket i fikur ndërsa mediat gjermane dhe spanjolle flasin për një marrëveshje mes tij dhe Realit të Madridit.
“Sport.de” raporton se Bajerni synon të arkëtojë sa më shumë të ardhura nga shitjet e këtyre lojtarëve për të nisur një merkato intensive për sezonin e ardhshëm.