Nga Agim Morina
Më 28 qershor 1902, një udhëzim i jashtëzakonshëm iu dërgu Ministrisë së Arsimit nga pallati. Sulltani kishte vendosë që njëzet djem të prijësve shqiptarë të regjistroheshin në Shkollën e Fiseve. Më parë, shumë shqiptarë kishin ndjekë akademinë e shërbimit civil, por hapja e dyerve të Shkollës së Fiseve për djemtë më të vegjël të bajraktarëve katundarë krijoi mjaft bujë në krahinat ballkanike. Valiu i Kosovës kërkoi që kuota e dhjetë studentëve për krahinën e tij të rritet në të paktën dymbëdhjetë. Në gusht, ministri i Brendshëm informoi sadriazemin se një kuotë prej katër studentësh i ishte caktu Vilajetit të Manastirit, dy për Dibrën dhe dy të tjerë për Elbasanin. Kajmekami i Dibrës u përgjegj se pesëmbëdhjetë krerët e fiseve kishin kërku që djemve të tyre t’u jepej privilegji për me ndjekë shkollën.
Më 23 shtator, një buxhet i posaçëm prej 64,650 kurushëve u transferu nga ndihmat e ndërtimit të ministrisë në shkollë për me financu këtë projekt ballkanik. Të nesërmen, Tercüman-ı Hakikat konfirmoi se Sulltan Abdülhamid kishte dekretu që bijtë e fiseve muslimane që jetonin në ‘zotërimet e mirëmbrojtura europiane të tij’ duhet të përfitonin gjithashtu nga arsimimi i ofruar nga Shkolla e Fiseve: ‘Studentët nga Kosova dhe Manastiri tashmë kanë ardhë disa ditë më parë. Dje njëzet studentë të përzgjedhur posaçërisht nga Bullgaria dhe Rumelia Lindore erdhën në Stamboll të shoqëruar nga Ali Aga Kavasbaşı i komisariatit bullgar.’ Në muajin tjetër u regjistruan katër studentë nga Shkodra në Shkollën Perandorake të Fiseve (Shqipëri).
Shtimi i rreth tridhjetë nxënësve nga provincat europiane në një vit përbënte një tjetër ndryshim të madh në konceptin origjinal të shkollës. Nuk gjeta të dhëna për ndonjë student nga Ballkani për tre vitet e ardhshme. Në shkurt të vitit 1905, valiu i Kosovës aplikoi në Ministrinë e Brendshme në emër të Ali Zubejrit nga Gjakova dhe Haxhi Ali Agës nga Mitrovica, të cilët donin t’i regjistronin djemtë e tyre në shkollë. Më vonë gjatë vitit, kajmekami i Shkodrës kërkoi që të pranoheshin edhe dy studentë të tjerë. Megjithatë, Ministria e Arsimit i hodhi poshtë të gjitha këto aplikime pasi njëzet studentë nga Shqipëria ishin regjistru tashmë në shkollë. Duket se një grup i dytë shqiptarësh kishte ardhë në vitin 1904. Më 17 dhjetor 1906, veziri i madh Ferid Pasha, i cili ishte vetë shqiptar, i shkroi sulltanit duke kërku që djali i njërit prej të njohurve të rajonit të Janinës të lejohej të ndiqte shkollën, e cila u miratu nga pallati më 9 prill 1907. Nuk ka asnjë të dhënë se si këta studentë ndërvepruan me arabët apo grupe të tjera».
Mehmet Ali Neyzi – The Imperial School for Tribes_ Educating the Provincial Elite in the Late Ottoman Empire – I.B. Tauris (2023)