Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, e cilësoi Ballkanin e Hapur si proces që i shërben Procesit të Berlinit dhe jo si pengesë për këtë të fundit. Duke folur në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, Abazoviç theksoi se konkurenca mes Ballkanit të Hapur dhe Procesit të Berlinit duhet parë si zhvillim pozitiv dhe jo si problem. Kreu i ekzekutivit malazez me këtë qëndrim u dha përgjigje dhe protestave në Malin e Zi kundër nismës së Ballkanit të Hapur. Abazoviç tha se Ballkani i Hapur është një nismë që nuk e pengon Procesin e Berlinit.
“Unë mbështes të gjitha format e bashkëpunimit rajonal, çdo gjë që kontribuon në një bashkëpunim më të madh, ku ne jemi bashkë dhe jo në armiqësi, qoftë procesi i Berlinit apo Ballkani i Hapur. Kur flitet për procesin e Berlinit, situata është paksa e kundërt. Ballkani i Hapur i dha vrull procesit të Berlinit. Kemi të bëjmë me konkurrencë të shëndetshme,”- tha kryeministri malazez.
Ai foli dhe për raportet mes Malit të Zi dhe Serbisë të cilat sipas tij janë përmirësuar ndjeshëm që kur Mali i Zi shpalli pavarësinë. Abazoviç shtoi se është në interesin reciprok që të dy shtetet të kenë raporte të mira ndërmjet tyre sesa të shkojnë drejt armiqësive dhe konflikteve të panevojshme.