Pak minuta para nisjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kjo e fundit ka vendosur të mos marrë pjesë në seancë.
Lajmi u konfirmua për BalkanWeb nga gazetari Ergys Gjençaj, i cili në një lidhje live për News24 bëri të ditur se në sallën e mbledhjes, në Kryesinë e Kuvendit, kanë mbërritur përfaqësuesit e SPAK, mes tyre drejtuesi Klodian Braho dhe prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.
Në mbledhje pritet të marrin pjesë 10 anëtarë të Këshillit të Mandateve, pesë deputetë nga shumica socialiste dhe pesë nga opozita.
Kërkesa për heqjen e mandatit të Ballukut ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit më 16 dhjetor të vitit të kaluar. Mbledhja zhvillohet pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së vendosur nga GJKKO, e cila e shkarkoi nga funksionet publike zv/kryeministren.
Akuzat ndaj Ballukut
Numri dy i qeverisë është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me tenderin për ndërtimin e tunelit të Tuneli i Llogarasë, si dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.
SPAK ka njoftuar gjithashtu se ajo po hetohet për shtatë procedura të tjera prokurimi publik, përfshirë segmente të ndryshme rrugore në zonën e Sheshit Shqiponja, Bulevardit të Ri, si dhe lotet 4, 5, 6 dhe 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës. Këto hetime, sipas organit të akuzës, lidhen me të njëjtën vepër penale dhe rëndojnë më tej pozitën e saj përballë drejtësisë.

