Ish-presidenti i Republikës, Bamir Topi, është paraqitur këtë të martë në ambientet e SPAK-ut, ku pritet të merret në pyetje lidhur me ngjarjet e 21 Janarit 2011, protestë që përfundoi me vrasjen e katër demonstruesve përpara Kryeministrisë.

Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala për BalkanWeb, Topi është thirrur të dëshmojë si person që ka dijeni mbi rrethanat e protestës së asaj dite.

Në librin e tij “Nocturn”, ish-presidenti ka rrëfyer më herët detaje nga periudha e tensionuar politike që parapriu 21 Janarin, duke theksuar se më 20 janar kishte zhvilluar në Pallatin e Brigadave një takim me trupin diplomatik. Ai kujton se atmosfera politike ishte tejet e tensionuar dhe institucionet e shtetit merrnin informacione në mënyrë të vazhdueshme për situatën që po përshkallëzohej.

Topi shprehet se gjatë takimit u kishte bërë thirrje forcave politike të ulin tensionet dhe të dialogojnë, thirrje që sipas tij u injorua krejtësisht ditën pasuese. Ai e konsideron 21 Janarin si ngjarjen më traumatike të tranzicionit shqiptar, me dimensione të thella politike, juridike dhe njerëzore.

Duke komentuar protestën, ish-presidenti ka deklaruar se ajo nisi si një demonstratë paqësore, por më pas degjeneroi në dhunë. Topi ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, u menaxhua politikisht protesta, duke akuzuar Edi Ramën për braktisje të protestuesve në momentet më kritike.

Ai tregon se komunikimin e parë institucional e kishte pasur një ditë më parë, ndërsa komunikimi i dytë ndodhi në momentin e ekzekutimit të qytetarëve në Bulevard, ngjarje të cilën ai e ka dënuar publikisht, duke bërë thirrje për qetësi dhe drejtësi.

Sipas Topit, në atë kohë kryeministri Sali Berisha nuk e ka pritur mirë deklaratën e tij publike, ku ai foli për vrasjet në Bulevard pa specifikuar se ku ndodhën, por duke theksuar rëndësinë e reagimit institucional për një tragjedi të tillë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *