Banorët e Bërxullës u futën forcërisht në ambientet e zyrës së Hipotekës dhe kërkuan takim me drejtoreshën e këtij institucioni, Dallëndyshe Bici, kërkesë e cila nuk u plotësua.
Banorët po ashtu kërkuan takim me përgjegjësin e Hipoketës për zyrën e Vorës, por zyrtari në fjalë nuk u hapi derën e zyrës së tij.
Banorët u shprehën të indinjuar nga mospërfillja ndaj tyre dhe paralajmëruan se do të rikthehen sërish në Hipotekë për një tjetër protestë e cila mund të përshkallëzohet.
“I bëj thirrje zonjës Bici që të na presë. E pres 24 orë. Të bjerë grupin përfaqësues dhe të na japë shpjegime, në të kundërt pasojat do t’i kenë të rënda. Protesta do të zhvillohet këtu dhe do jetë e dhunshme. Kanë pasur kaq shumë kohë sa… Ai drejtori i Vorës ka ardhur nga Dibra, ka qenë drejtor atje. Do shkojmë deri në pikën e fundit. Këtu nuk kemi dhunuar asgjë. Këtu projekti është privat, por s’kemi dhunuar asgjë.”- tha një nga banorët.
Banorët e Bërxullës po protestojnë prej disa muajsh kundër projektit të rrugës Thumanë-Kashar duke akuzuar qeverinë se nuk i ka kompensuar në vlera reale për pronat që preken nga projekti i rrugës.